Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhacka ka dhënë një deklaratë për mediat nga aeroporti I Rinasit lidhur dislokimin e policisë ushtarake për garantimin e sigurisë së tij pas megavjedhjes se 10 milionë eurove 2 ditë më parë. Kjo deklaratë vjen pas mesymjes së Forcave të Armatosurave në mbrojtje të Aeroportit të Rinasit, vendim për të cilën Presidenti Meta ka kërkuar informacion mbi mbështetjen e tij Kushtetutë. (lexo ketu).
Xhaçka është shprehur se nuk jemi në gjendje të jashtëzakonshme dhe as në një gjendje luftë, por se kjo masë vjen si masë sigurie deri në momentin që kompania koncensionare të japë siguri të plotë për territorin.
“Kam ardhur në komandën e Forcave të Armatosura për të marrë informacion dhe për të parë gjërat që po planifikohen deri në masat përfundimtare që do marrë kompania koncensionare. Nuk ka dislokim trupash, nuk kemi luftë, nuk kemi as emergjencë, kemi cënim të sigurisë të një objekti të rëndësisë së vecantë. Jemi të detyruar të garantojmë sigurimin e perimetrit përmes policisë ushtarake. Nuk është nevoja të evokohet Kushtetuta apo ligje të ndryshme. Prioriteti ynë është sigurimi i qytetarëve”, tha Xhaçka.
Përderisa ngjarja është një ngjarje e përsëritur Xhaçka thotë që FA e kanë për detyrë të jenë këtu pasi kjo zonë përveç një zonë civile është zonë ushtarake ashtu sikurse është pjesë e një marrëveshjeje me NATO-n.
“Aeroporti është stukturë gjysëm ushtarake dhe gjysmëm civile pasi është dhe strukturë e NATO-s.
Është një strukTurë ushtare dhe cënimi i saj sigurisht na cënon por nuk ka luftë, po diskutojmë masat që do merren dhe zgjidhjet që po propozohen. Kjo ngjarje është e përsëritur dhe kërkon praninë e Forcave të Armatosura.
Asesi kjo gjë nuk i takon Presidentit, kompetencat i ka dikush tjetër. Jemi këtu për të parë zbatimin e Ligjit” tha Xhaçka.
Xhaçka shton që dislokimi i trupave të armatosur vjen vetëm si masë sigurie e perimetrit të aeroportit por që nuk ka ndërhyrje në brendësi të saj.
“Ka një marrëveshje me aeroportin e Rinasit dhe masat që duhet të jenë në fuqi për siguri.
Aeroporti është portë hyrëse dhe dalëse dhe masat e sigurisë që duhet ti kishte bërë koncensionari do të përforcohen dhe nga ne. Nuk ka dislokim të këtyre forcave, por vetëm masa sigurie.
Ne do të patrullojmë perimetrin e sigurisë, komanda është 1 km larg nga hyrja në aeroport. Nuk do marrim kopetenca që nuk na takojnë.
Kemi prezencë ushtarake dhe përmes përfaqësimit të Aleatëve kemi për detyrë të sigurojmë perimentrin.” vijoi më tutje ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.