Ka dështuar seanca e sotme në Gjykatën e Krimeve të Rënda për Emiljano Shullazin, ku pritej që të lexohej pretenca nga ana e prokurorisë. Shkak për këtë shtyrje është bërë mungesa e një prej avokatëve mbrojtës të Shullazit.
Prokuroria e ka quajtur të qëllimshme shtyrjen e kësaj seance, tezë e cila është hedhur poshtë nga pjesa tjetër e avokatëve të çështjes Shullazi, pasi sipas tyre Aldo Tabaku kishte nevoja humane. Seanca e radhës do të mbahet në datën 2 Tetor, pra javën e ardhshme.
Kjo është e disata herë që prokuroria dështon që të japë pretencën për Shullazin, duke e zvarritur gjithnjë e më shumë këtë proces gjyqësor.
Të pranishëm te Krimet e Rënda ishin edhe 4 prokurorët që do të jepnin pretencën, të kryesuar nga kryetarja e Krimeve të Rënda Donika Prela, e më tej prokurorët Besnik Muçi, Anton Martini dhe Gentian Osmani.
Banda e Shullazit akuzohet për krijimin e grupit të strukturuar kriminal, kanosje për shkak të detyrës ndaj Mynyr Konit e Dhori Kules dhe shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie kundër Ylvi Beqjes për ish-hotel “Vollgën” në Durrës. Shullazi rrezikon deri në 15 vite burg për akuzat, po ashtu edhe anëtarët e bandës; Gilmando Dani, Besmir Shullazi, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela.
Çështja e Emiljano Shuillazit ka krijuar dhe një konflikt te Prokuroria e Krimeve te Rënda, ndërsa Arta Marku, kryeprokurorja e përkoshme ka vendosur transferimin e tre prokurorëve në rrethe, që sipas tyre është bërë në shkelje të ligjit.
Gazetarë të kronikës e kanë quajtur këtë vendim të Markut një sjellje hakmarrëse, e cila bëhet për të favorizuar Shullazin, dhe për të vendosur lirimin e tij.
(E.K/FAXWEB.AL)