Në një kohë kur Shqipëria është në pritje të 10750 dozave të para nga vaksina BioNTech-Pfizer, kompania amerikane do të reduktojë furnizimin për Europën dhe me vendet që kanë mbyllur kontratat prej kohësh.
Mbetet e paqartë se cfarë do të ndodhë me Shqipërinë ndërsa nuk ka asnjë reagim nga kryeministri Rama apo ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu. Veprimin e kompanisë amerikane, disa shtete të BE e kanë cilësuar si “të papranueshme”.
Lajmin e ka dhënë vetë kompania, por edhe Instituti Norvegjez për Shëndetin Publik që ka njoftuar uljen e sasisë në partinë e parë.
“Ne morëm këtë mesazh sot, pak përpara orës 10:00. Prisnim 43.875 doza nga Pfizer për javën e tretë, por duket se do të marrim 36.075 doza”, njofton instituti norvegjez.
Vetë kompania ka sqaruar se ulja e dërgesave ka të bëjë me reduktimin e qëllimshëm të prodhimit në mënyrë që të përmirësohen kapacitetet dhe të kalohet nga 1.3 miliardë doza/vit në 2 miliardë. Pfizer ka shtuar se reduktimi i punës do të prekë dërgesat e të gjitha vendeve europiane për fundin e janarit dhe fillimin e shkurtit, por më pas do të kalohet në kapacitet të shtuar.
Gjermania tha se afati i dorëzimit do të shtyhet për tre ose katër javët e ardhshme ndërsa kompania amerikane po bën ndryshime në vendin e saj të prodhimit në qytetin belg të Puurs.
“Në një njoftim të shkurtër, Komisioni i BE dhe, përmes tij, vendet anëtare të BE, u informuan se Pfizer nuk do të ishte në gjendje të përmbushë plotësisht dozat e premtuara për tre deri në katër javët e ardhshme për shkak të modifikimeve në fabrikën e Puurs,” tha ministria.
Autoritetet gjermane thanë se ata “pendohen” për lajmet e papritura në lidhje me shpërndarjen e vaksinës, e cila u zhvillua me kompaninë gjermane BioNTech. Berlini i kërkoi Komisionit Evropian të “kërkojë qartësi dhe siguri” për dërgesat e ardhshme.