Në drejtorinë e Bujqësisë në Vlorë dhe në Fier po shpërndahen masivisht tollone me naftë për fermerët, një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.
Edhe pse dita e sotme është pushim për administratën, duket se drejtoritë lokale janë duke i bërë shërbimet e fundit qeverisë së Edi Ramës, edhe pse fermerët e prisnin naftën prej muajsh.
Ata kanë thënë për gazetaret e Fax News në Vlorë dhe në Fier se për naftën ishin në pritje që prej dy muajsh, dhe vetëm dje janë njoftuar për tërheqjen e tyre.
Vetë fermerët e pranojnë se kjo mund të ketë lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve gjatë ditës së nesërme, por shprehen se nafta është një e drejtë që e takon dhe janë të detyruar që ta marrin.
Gazetarja Hysaj është përballur me refuzimin e punonjësve të drejtorisë së Bujqësisë në Vlorë për të dhënë një koment, mbi arsyet se pse janë të hapur dhe ditën e shtunë, ndërsa shtojnë se po e do nevoja do të dalin edhe të dielën në zyrë.
(E.K/Faxweb.al)