Pak ditë më parë ministrja Ogerta Manastirliu deklaroi se mbajtja e maskës në ambientet e mbyllura është bërë me detyrim, për të frenuar përhapjen. Por të parët që shkelin ligjin janë vetë deputetët e Shqipërisë.
Gjatë seancës së sotme plenare, vihet re se shumë prej tyre nuk mbajnë maska, megjithëse janë në ambient të mbyllur.
Madje kjo gjë ka revoltuar edhe kryeparlamentarin Ruçi, i cili u kërkoi deputetëve në sallë në fillim të seancës që të vendosin maskën mbrojtëse.
“Ne duhet të jemi të parët për zbatimin e masave dhe nuk ka vend për të neglizhuar ne të parët dhe për të kërkuar nga zgjedhësit se kjo betejë fitohet. Kush është pa maskë në sallë të vendosë maskën, kjo është e para. Këtë e bën e gjithë bota, gjithë protokolli dhe parlamentet e botës. Edhe krerët e shteteve më të fuqishme takohen dhe diskutojnë online” tha ai.
Ndërkohë deputeti Korab Lita u tregua i drejtpërdrejtë kur tha se deputetët rrinë grumbull në kafe, duke nënkuptuar se nuk duan t’ia dinë për zbatimin e masave të vendosura nga vetë ata.
“Është e kotë të bëjmë mbledhjet online, kur deputetët rrinë grumbuj në kafe”, tha ai.