Qytetarët e Vlorës janë ngritur sot në protestë kundër depozitimi të mbetjeve të cilësuara radioaktive dhe shumë të dëmshme për shëndetin pas raportimeve se dy ditë më parë kontenierë me të tilla mbetje u kapën në portin bregdetar.
“Mos na helmoni fëmijët”, “Shqipëria nuk është kazan” dhe ‘Vlora është perlë, nuk është plehrë’, ishin disa nga pankartat që mbanin qytetarët në duar duke deklaruar se nuk do të lejojnë që toka, uji dhe ajri i tyre të helmohet nga përfitues të aferave të dyshimta.
Ata kanë marshuar disa minuta në rrugët e qytetit dhe janë drejtuar më pas në Portin e Vlorës duke u kërkuar të gjithë qytetarëve tu bashkohen për të mbrojtur shëndetin e tyre dhe të fëmijëve.
“Të na japin përgjigje, të kërkojmë llogari nga autoritetet. Duam të jetojmë të sigurt në vendin tonë‘, janë shprehur protestuesit.