Vendimi i dhënë nga Gjykata e Apelit për Dritan Dajtin, të cilit iu hoq dënimi me “burgim të përjetshëm” për t’iu dhënë ai me 25 vite burg, ka sjellë një mori reagimesh, si nga arena politike ashtu edhe nga specialistët e së drejtës.
Në vazhdën e tyre është edhe avokati penalist i njohur, Saimir Vishaj, i cili ka reaguar pas këtij vendimi me anë të një postimi në rrjetet sociale.
Vishaj e ka ndarë qëndrimin e tij në tre pjesë ku së pari shpreh keqardhjen e tij se përse ka dalë në rrjetet sociale vendimi i shkurtuar i Gjykatës së Apelit.
Ai “sulmon” dy gjyqtarët në pakicë, të cilët kanë qenë kundër këtij vendimi, ndërsa shkruan:
“1.Eshte per te ardhur keq qe ne rrjete sociale apo fcb del vendimi i shkurtuar i Gjykates se Apelit, ne nje vendimarrje me shumice anetaresh, dhe pakice mendimesh, te dy gjyqtareve, ku vete gjyqtaret kerkojne te shfajsone veten e tyre dhe tja hedhin fajin shumices vendimarese!!! Vendimi merret ne dhome keshillimi pa pjesmarjen e paleve dhe mendimi i pakices depozitohet i arsyetuar ne sekretarin e gjykates dhe nuk mundet kursesi te behet publik me perjashtim te Kolegjit penal qe do te gjykoje ceshtjen mbi bazen e rekursit nese ushtrohet kjo e drejte.”
Po ashtu ai nuk ka lënë pa iu kundërvënë as edhe ministrit të Brendshëm, pasi sipas tij ndonëse proklamojnë Reformën në Drejtësi, u bën presion gjyqtarëve me veting apo burg.
“2.Eshte per te ardhur keq edhe deklarata e Ministrit te Brendshem kur ushtron presion me burg apo vetinng, Gjyqtaret cka po minon Reformen ne Drejtesi aq te deshiruar per ndarjen apo pavarsine e sistemit te drejtesise nga EKZEKUTIVI….”, – shkruan avokati.
Ndërsa në përmbyllje të reagimit të tij ai ngre pikëpyetje nëse Ligji procedurial 35/2017 i Kodit të Procedurës Penale lidhur me gjykimin e shkurtuar ka fuqi prapavepruese edhe kur bëhet fjalë për vepra të tilla që kanë në sanksion “Burgim të përjetshëm”.
“3.Eshte per tu diskutuar nese Ligji procedurial penal ka fuqi prapavepruese nderkohe qe ka hyre ne fuqi ligji 35/2017 i Kodit te procedures penale ne lidhje me gjykimin e shkurtuar kur vepra penale ka ne sanksionin e saj Burgim te perjetshem ….nderkohe qe ceshtja objekt gjykimi ne gjykaten e Apelit po gjykohej me 5 gjyqtar me ligjin procedurial penal te vjeter!!!!”, – shkruan ai.
Kujtojmë se procesi ndaj Dajtit zgjati rreth 10 vite, ndërsa në Shkallë të Parë u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 2014. Seanca gjyqësore në Apel filloi në orën 09:00 të ditës së djeshme, ndërsa vendimi përfundimtar i pesëshes së gjyqtarëve është dhënë në orët e pasdites, duke mbyllur kështu një nga proceset më të gjata gjyqësore dhe të shoqëruar me bujë.
Kështu, gjykimi i shkurtuar i ka dhënë të drejtën Dajtit të përfitojë nga ulja e dënimit me 1/3-ën. Çështja është gjykuar nga gjyqtarë, të cilët vinin nga Apelet e Rretheve, ndërsa vendimi u dha pas disa seancash shtyrje për mosformim të trupit gjykues. Për shkak të “konsumimit” të gjyqtarëve të Tiranës, procesi ndaj Dajtit mbeti në dorën e 5 gjyqtarëve të deleguar nga rrethet.
Konkretisht, në trupin gjykues ishin deleguar për të shqyrtuar çështjen gjyqtarët: Skënder Damini, Fuat Vjerdha, Petrit Aliaj, si dhe Lindita Hoxha dhe Aleks Nikolla të Gjykatës së Apelit të Vlorës.
(B.B/ Faxweb.al)