Partizani ka hipotekuar ndeshjen e tetë pa humbje në kampionat, teksa edhe në përballjen e sotme kundër Luftëtarit ka marrë tre pikë të plota me golat e shënuar nga Mensah dhe Telushi, në kuadër të javës së nëntë në Kategorinë Superiore.
Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Selman Stërmasi” dhe foli më shumë për vendasit, të cilët kontrolluan dhe menaxhuan më mirë lojën edhe vuajtën disi nga mungesa e Alban Hoxhës në portë.
Megjithatë, të parët që kaluan në avantazh kanë qenë vendasit në minutën e 21’ me Mensah, pas një goditje këndi nga Asani, pasi Ruçi nuk arriti ta largojë topin nga zonë dhe sulmuesi ganez e dërgoi topin në rrjetë me një gjuajtje të shpejtë, raporton SportPlus.
Ndërsa, në minutën e 40’ erdhi barazimi i bluzinjëve me Shkurtajn, i cili mori një top nga Radovic për të gjuajtur saktë në cepin e portës duke mposhtur portierin Xhixha. Megjithatë, të kuqtë kaluan përsëri në avantazh në pjesën e dytë, ku Telushi ekzekutoi saktë një 11-metërsh duke çuar rezultatin në 2-1.
Pas kalimit në avantazh, skuadra e Skënder Gegës tentoi që të shënonte dhe një gol tjetër, por mbrojtja e gjirokastritëve nuk u thye më. Me këto tre pikë, “Demat e Kuq” kanë marrë sërish kreun pasi kuotojnë plot 22 pikë dhe nga ana tjetër Luftëtari në vendin e parafundit me vetëm 6 pikë.