Një aksident i frikshëm ndodhi sot në nisjen e Çmimit të Madh të Bahreinit në Formula 1. Në kthesën e tretë të xhiros së parë, piloti i Haas, Romain Grosjean, humb kontrollin e makinës pas një prekjeje me një makinë tjetër dhe përplaset me muret mbrojtëse.
Në momentin e përplasjes, njëvendëshja merr flakë dhe ndahet në dysh, me garën që ndërpritet menjëherë.
F1 njoftoi se piloti francez ka shpëtuar duke dalë shumë shpejt nga makina në flakë, ndërsa regjia dha pamjet e tregojnë pilotin në makinën e sigurisë, duke folur me komisarët e pistës.
Skuadra Haas bëri me dije se piloti fatmirësisht ka pësuar vetëm djegie të lehta në duar dhe kavilje.
Siç mund të shihet dhe në videon e mëposhtme, ajo që ndodh me pilotin është një mrekulli, çast i cili ka mbajtur me zemër në dorë të gjithë ata që ishin duke ndjekur garën.
Grosjean shihet i tronditur ndërkohë që pamja e tij kur del në mes të flakëve, do të mbetet e paharrueshme për të gjithë. Në fund të garës, çmimin e madh të Bahreinit e fitoi Luis Hamilton.