Është publikuar fotoja e Bledar Cafit ose (Lulzim Halilaj), personit që konsiderohet nga Policia e Shtetit, si një nga “të fortit” e qytetit të Shkodrës. Cafi është vëllai i Shkëlqim Cafit, i vrarë disa vite më parë qytetin verior.
Ai u arrestua dy ditë më parë brenda në qytetin e Shkodrës, për shkak të një dënimi të marrë në mungesë, me 4 vjet e 2 muaj burg, për tregtim të drogës në Itali. Sipas burimeve të policisë lokale, personi Cafi është njëri nga drejtuesit e klanit “Cafi” në Shkodër, dhe rezulton me disa biznese në këtë qytet.
Edhe pse prokuroria e Shkodrës dhe së fundmi OFL, kanë marrë nisma ligjore për të hetuar Cafin, për sa i përket “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, të gjitha nismat kanë qënë pa rezultat.
Pritet që brenda kësaj jave, Cafi të dalë para gjykatës së Shkodrës, ku do njihet me masën e sigurisë “arrest në burg” me afat, që do kërkojë prokurori i çështjes Xhevahir Lita.
Ndërkohë organi i akuzës është në pritje të mbërritjes së letërporosisë nga drejtësia Italiane, për të mësuar nëse autoritet e këtij shteti do kërkojnë ekstradimin e këtij personi apo njohjen e vendimit të dënimit Italian, në Shqipëri.
Pronat e Bledar Cafit
Rezulton se Bledar Cafi së bashku me 6 anëtarë të familjes së tij, është aksioner në një kompleks biznesesh të quajtur “Prince of Lake” në Shkodër. Ky biznes është legalizuar në vitin 2011 dhe kaluar në bashkëpronësi në vitin 2017. Mbi këtë pasuri është ngritur resorti “Prince Of Lake”, i cili përbëhet nga disa biznese si lavazh, Bar-Kafe, Restorant dhe hotel. Ndërkohë që një biznes tjetër në emër të Bledar Cafit, është zbuluar në Shkodër dhe bën fjalë për tregtinë e peshkut. Gjithashtu, Cafi zotëron 45 për qind të aksioneve në kompaninë e peshkimit “Dajlani” në Shkodër.
Rezulton se Bledar Cafi, që prej prillit 2018 disponon një aktivitet tregtar në lagjen “Sulo Halili” me objekt “Tregtim artikuj ushqimorë me shumicë dhe pakicë”.
Cafi në database e policisë gjermane, franceze dhe belge
Cafi në vitin 2008 ishtë shpallur në kërkim pasi dyshohej se ishte pjesëmarrës, në një vrasje në bashkëpunim, por më pas u shpall i pafajshëm në vitin 2009. Në një shkresë të Interpol Tiranës dërguar prokurorisë Shkodër thuhet se:“…Bledar Cafi prej datës 29 shtator 2008 deri në 4 dhjetor 2009 ka qenë person në kërkim me masën e sigurisë “arrest në burg”.
Ai ka fituar në datën 23 nëntor 2009 betejën ligjore duke u shpallur I pafajshëm për akuzën e “Vrasjes me dashje” kryer në bashkëpunim…”.
Ndërkohë e njëjta shkresë e Interpol Tirana, tregon se: “…Bledar Cafi në vitin 2012 njihet në databazën e policisë gjermane me emrin Lulzim Halilaj, dhe është njohur më “Vjedhje” e “Rrëmbime” të kryera gjatë vitit 1998, por nuk jepen të dhëna të tjera për arrestimin ose dënimin e tij në Gjermani…”.
Ndërsa Interpol Zagrebi, ka njoftuar prokurorinë shqiptare, se për Bledar Cafin, nuk ka të dhëna për aktivitet kriminal. Interpol Brukseli,i cili tregon se:”…Bledar Cafi njihet në databazën e policisë belge për çështje droge të kryera në vitin 2012…”.
Një tjetër informacion për Bledar Cafin, të “fortin” e Shkodrës, ka mbërritur për policinë shqiptare dhe nga Interpol Parisi. Kjo zyrë policore tregon se:“…në vitin 2012 Bledar Cafi, ka banuar në Lyon të Francë dhe kishte në pronësi një mjet tip “Renault Laguna” dhe një “Opel Corsa…”.
Interpol Parisi i tregon policisë shqiptare se:”…Bledar Cafi, gjatë kohës që ka qëndruar në Francë, në datën 7 tetor 2009 është marrë në pyetje nga policia Franceze për një hetim me objekt “Shfrytëzim prostitucioni…”.
Njëherësh kjo zyrë policore në Francë, tregon se:”…Bledar Cafi, rezulton i regjistruar në listën e personave të kërkuar me shënimin “I detyruar të largohet nga vendi…”, shënim ky që rezulton të jetë bërë nga policia në datën 4 korrik 2011.
Ndërkohë arrestimi i tij më 25 janar 2021 është bërë me qëllim ekstradimin drejt Italisë, informoi policia shqiptare. 41 vjeç, banues në Shkodër ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Zyra Qendrore e Interpol Tirana. Gjykata e Triestes/Itali, me vendimin e datës 04.06.2020, e ka dënuar këtë shtetas me 4 vjet e 2 muaj burgim, për veprat penale “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “Trafikim droge në sasi të mëdha”, parashikuar nga Dekreti Presidencial “Për drogat” në Itali”.
Burimi: Ora news