Personi në foto është Aleksandër Sadikaj, 27-vjeçari i cili ra pre e një atentati me tritol në Tiranë. Sadikaj mori plagë të rënda në trup dhe për pasojë humbi jetën rrugës për spital.
Sadikaj po udhëtonte me mjetin e llojit “Mercedes Benz” në momentin që lënda plasëse që i ishte vendosur në pjesën e parme të makinës u shpërthye me telekomandë nga atentatorët.
Burime nga policia bëjnë me dije se viktima Aleksandër Sadikaj, i cili është me origjinë nga Berati, rezulton një person me precedent penal për tentativë vrasje, vjedhje, kundërshtim të punonjësit të policisë së shtetit. Është pikërisht e shkuara e viktimës pista kryesore e hetimeve.
Burime bëjnë me dije se grupi hetimor ka dyshime se autorët e shpërthimit që deri tani dyshohet të jetë me telekomandë, kanë ndjekur të gjitha lëvizjet e tij në një karburant që ndodhet shumë pranë rrethrrotullimit.
Për këtë shkak grupi hetimor ka sekuestruar pamjet e sigurisë të biznesit në fjalë, në mënyrë që të shkohet drejt identifikimit të autorëve. Ekspertët thonë se shpëthimi me telekomandë nuk mund të bëhet në një distancë më të madhe se 500-700 metër, dhe për këtë dyshimet e policisë janë se autorët kanë ndjekur me sy të lirë të gjithë skenën.
https://fax.faxweb.al/atentati-me-bombe-qe-i-mori-jeten-te-riut-nga-berati-ku-qendruan-autoret-ne-momentin-e-shperthimit-sekuestrohen-kamerat-e-biznesit/