Një deklaratë të pazakontë ka bërë ditën e sotme në seancën plenare deputeti Myslim Murrizi kur ka krahasuar situatën në të cilën ndodhet momentalisht presidenti Ilir Meta me atë të ish-kryeministrit të regjimit monist, Mehmet Shehut në vitin 1981.
Deputeti tha se shpresonte që të mos ndodhte ajo që ndodhi me Mehmet Shehun në Dhjetor të vitit 1981 duke nënkuptuar se e kishte fjalën për Presidentin Meta por pa përmendur emër.
“Nuk jam këtu as për të bërë gjykatësin dhe për të bërë Metën armik, as për të bërë avokatin dhe ti dal në krah, por për qytetarët të cilët që prej 5 ditësh nuk e dinë se çfarë po bëhet.
Në paragrafin e fundit të rezolutës thuhet se Kuvendi i bën thirrje presidentit të reflektojë. Kjo nuk është as më shumë dhe as më pak se një fletë rrufe. Kurrë s’ka pasur marrëveshje në të mirë të qytetarëve shqiptarë. Ndarja e karrigeve të pushtetit është një hall i madh. Nuk e di pse është kaq sekëlldi. Rama i ka dërguar në këto tre javë 7 letra Bashës, edhe Meta kishte të drejtë t’i çonte një letër Klement Zgurit. Kur i është dashur për të ndarë pushtet dhe për të vjedhur taksat jeni marrë vesh që nga 1991 kur bëtë qeverinë mikse me komunistë nga PS dhe PD. Bëtë pazar në 2007.
Sa herë që shkojmë buzë Europës ka një pazar që shitet si marrëveshje për të shpëtuar popullin. Presidenti deklaroi se këto ditë ka takuar edhe Ramën, edhe Bashën, edhe Berishën, Monikën s’ka nevojë ta thotë’. Unë e di që pazaret që kërkoni të rrisni në këtë situatë artificiale është një hall i përbashkët. Hera e parë në këtë parlament u votua në rezultatin 20 me zero kur çifti i ambasadorëve u puth në Llozhe. Unë besoj që do kemi Pazar prap.
Lërini këto fletë-rrufe dhe bashkohuni bashkë me ne të opozitës së re që në total bëhemi 123 dhe të bëjmë ndryshimet rrënjësore kushtetuese. Megjithatë jeni të mrekullueshëm sepse na latë vetëm nga tre minuta kohë për të folur. Ata të cilët kanë dalë rrugëve prej 5 muajsh i gënjejnë militantët, hajde se do ti rrëzojmë sot e hajdeni se do ti rrëzojmë nesër. Me këtë lojë që keni nisur ishalla nuk kthehemi prap si në ‘81-in siç ndodhi me Mehmetin”, tha Murrizi duke nënkuptuar se vendi po shkon drejt një qeverisjeje totalitare si dhe duke dhënë një mesazh nga ana e tij në adresë të Metës.
Deklaratat e Murrizit vijnë edhe pas një deklarate që ka bërë Presidenti përpara disa muajsh kur sapo kishte nisur kruiza politike i cili deklaroi nga Korça se për stabilitetin dhe demokracinë në vend ishte gati jo vetëm të dorëzonte postin që mban por edhe të jepte jetën.
Në Dhjetor të vitit 1981 një natë pas mbledhjes së famshme te byrose që mori emrin “për krushqinë”, Mehmet Shehu u gjet i vdekur në shtrat në shtëpinë e tij dhe me një pistoletë pranë, ku sipas variantit zyrtar deri më tani, bëhet fjalë për një vetë-vrasje.
(F.GJ/FAXWEB.AL)