Ish-deputeti i PD, Klevis Balliu ka dhënë detaje të reja mbi Meardi Berberin, një nga të arrestuarit e ngjarjes së Tushemishtit ku u qëllua me breshëri plumbash ndaj një hoteli. Në një intervistë për studion e Fax News, u shpreh se është djali i një anëtari të këshillit bashkiak të Partisë Socialiste në qytetin e Pogradecit.
Balliu theksoi se njihet në të gjithë qytetin si gjobëvënës ndaj bizneseve të qytetarëve. Ndërkohë hedh akuza ndaj Ramës që futi në parlament të gjithë kriminelët, të cilët sipas tij e prisnin në dhomën e paraburgimit.
“Edi Rama, kriminelët i futi në parlament, i bëri partnerë dhe do të ishin ende në parlament nëse nuk do ishte Lulzim Basha. Nëse nuk do ishte për Bashën, Bashkia e Kavajës do të drejtohej nga një person që merrej me prostitucion, pra që ishte Elvis Roshi. Në këtë kontekst, nuk erdhi për shkak të pandemisë dhe këta individë, sic ishte Ilir Berberi janë militantë të PS që kanë drejtuar fushatën e PS.
Meardi Berberi është djali i anëtarit të Këshillit Bashkiak të PS në Pogradec. Ky njeri njihet në të gjithë Pogradecin si gjobëvënës ndaj bizneseve të qytetarëve. Unë ju ftoj të kujtojmë se ndërkohë që Ministri i Brendshëm bashkëpunonte me kriminelë, ndërkohë që vrasës, njerëz të marrë me prostitucion po futeshin në parlament, shqiptarët po arrestohen për 30 mijë lekë që nuk paguanin drita. Ndërkohë që këta kriminelë prisnin në paradhomën e kryeministrit ndërkohë që vrasjet ndodhin cdo ditë në Shqipëri”, u shpreh Balliu.
Kujtojmë se Ilir Berberi, 52 vjec doli para gjykatës ditën e sotme ku u vendos masa “arrest me burg”. Ai u arrestua nga policia në një çadër që kishte ngritur enkas për t’u strehuar. Personat e tjerë si të dyshuar në ngjarje dhe bashkëpuntorë të afërt të Berberit gjithashtu të arrestuar nga policia ditën e sotme janë: Meardi Berberi, 34 vjeç, banues në Pogradec (person me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve kundër jetës dhe pronës); Anterio Kaloshi, 29 vjeç, banues në Lushnjë (person me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve kundër jetës dhe pronës); Ervin Kalaja, 40 vjeç, banues në Tiranë (i dënuar më parë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”).(A.M/Faxweb.al)