Eurodeputeti i Parlamentit Europian, David McAllister, deklaroi ditën e sotme se ja kanë bërë të qartë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit që dialogu me Serbinë është e vetmja mënyrë për të ecur para.
Gjatë fjalës së tij në Konferencën Vjetore “State of the Union”, organizuar nga Instituti i Universitetit Europian, McAllister tha se vonesat e bëra lidhur me premtimet për liberalizimin e vizave për Kosovën apo integrimin e Shqipërisë e ulin kredibilitetin e unionit.
“Sa i përket çështjes së Kosovës, Kurti ka qenë këtu, është takuar me përfaqësuesit e lartë të BE, dhe ne ja bëmë shumë të qartë që dialogu është e vetmja mënyrë për të ecur përpara dhe shpresojmë që dialogu të vijojë me një takim të nivelit të lartë mes Vuçiç e Kurtit. Sa i përket çështjes së politikës së jashtme, ne do të kemi një konferencë shumë të rëndësishme për të ardhmen e BE dhe uroj shumë që ajo të na sjellë disa ide të reja. Psh. çfarë duhet të bëjmë ne që të bëhemi më të fortë, më efikas, në lidhje me politikën e jashtme, politikën e sigurisë, tregtinë, etj. Është shumë e rëndësishme që të tregojmë rolin tonë në botë. Së pari, na duhet një strategji e përbashkët; së dyti, të jemi shumë të bashkuar; së treti, të gërshetojmë elementet e fortë. Ky gërshetim i politikës së jashtme ka të bëjë pikërisht me fuqizimin e kësaj politike. Ky aspekt gjeopolitik i BE do të vihet në zbatim tërësisht”, tha ai.
(E.H/Faxweb.al)