Kreshnik Çollaku i ftuar në ‘’Fax News” ka denoncuar atë që ka ndodhur sot në Këshillin e Bashkisë së Tiranës, ku Veliaj sipas tij në vend të këshilltarëve përdori njerëz që nuk njiheshin. Po ashtu sipas Çollakut në këtë projektbuxhet parashikohet dhe blerja e drejtuesve të medias.
“Projektbuxheti parashikonte një rritje dramatike të taksave. Ka një sërë shpërdorimesh nga më të çuditshmet. Nuk ka asnjë investim në kuadër të përgjegjësisë sociale. Është një buxhet për të ushqyer oligarkinë, dhe disa përfaqësues mediash po të doni, duke i favorizuar me tendera. Çmimin e paguajnë qytetarët e Tiranës. Kjo është e papranueshme. Qëndrimin tonë do ta bëjmë sa më të detajuar ditën e nesërme.
Është një situatë e paprecedentë, as në vendet e Afrikës nuk ndodh një gjë e tillë, kjo nuk gjendet në asnjë manual politikë. E keqja nuk ka mbaruar, ne duhet të shohim zgjidhjen e kësaj situate. Qeverisja lokale është si një shoë televiziv, kështu po e drejton Veliaj.
Drejtimi nëpërmjet propagandës, kreu i Bashkisë del tre herë në media për të njëjtën gjë, I vuri dritaren shkollës, u hap, u mbyll. Ka një manipulim të tmerrshëm mediatikë. ‘’Kënga Magjike” a ju kujtohet ç’iu tha drejtuesi i saj?! Tha frazën ‘’ne jemi të lumtur që paguajmë taksat në Tiranë”. Po a ka njeri në rruzullin tokësor që do të ishte i lumtur që të paguante taksa, në Tiranë apo kudoqoftë”, u shpreh Çollaku.
(E.K/FAXWEB)