Sot në mëngjes vdiq një tjetër person nga virusi korona. Ajo është një grua 66 vjeçare nga Struga. Sipas anketës së epidemiologëve, familja e saj kishte qenë mysafir në Dibër, pak para se të shpallet gjendje krize dhe kishte pasur kontakt me një nga mjekët e infektuar atje.
Edhe burri i saj është gjithashtu pozitiv me virus. Përmes mjekut amë, pacientja kishte caktuar testim katër ditë më parë, por nuk ishte shtruar në spital. Ministria do të hetojë nëse ka një lëshim mjekësor në këtë rast.
Për shkak të përkeqësimit të menjëhershëm të gjendjes së pacientit, mjeku amë ka rekomanduar shtrimin në spital në repartin e Sëmundjeve Infektive në Spitalin e Ohrit. Ministria njofton hetim të plotë të rastit për të përcaktuar nëse ka pasur lëshim mjekësor- deklaroi Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.
Gjatë 24 orëve të kaluara, janë regjistruar 22 raste të reja me Korona në vend. Nga të infektuarit e rinj nëntë janë nga Shkupi, tre nga Kumanova dhe Struga, dy nga Tetova, Prilepi dhe Dibra, si dhe një nga Manastiri.
Të prekurit e fundit nga virusi në Maqedoni
Shkup – 9
Kumanovë – 3
Strugë – 3
Tetovë – 2
Prilep – 2
Dibër – 2
Manastir – 1
Me rastet e reja, deri sot në ora 12, numri i përgjithshëm i të prekurve është 241, tre janë shëruar dhe 4 persona kanë vdekur. Pas rastit të djeshëm të infektimit me virus korona, në Klinikën e Kardiologjisë, i gjithë personeli është dërguar për testim. Të gjitha rezultatet janë negative për kovid-19, shkruan Alsat.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar në natën e së shtunës se është konfirmuar edhe një rast i ri me koronavirus në vend.
Numri i të infektuarve me koronavirus ka shkuar në 91. Laboratori i Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK sot në mbrëmje ka testuar edhe 8 mostra, prej të cilave një ka rezultuar pozitive. Rasti pozitiv është rast kontakti, me vendbanim në Prishtinë, shkruan Express
Njoftimi i plotë i IKSHPK-së:
NJË RAST ME COVID-19! (Testimi i dytë)
Sot me 28.03.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar (8) mostra të marra nga rastet në terren dhe nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive. Nga mostrat e marra për testim në virusin SARS-CoV-2, një prej tyre ka rezultuar pozitiv.
Rasti pozitiv është rast kontakti, me vendbanim në Prishtinë.
Nga data 08.02.2020 deri me 28.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.037 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej nëntëdhjetë e një (91) raste me një (1) rast të vdekjes i një të moshuari 82 vjeç.
Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 1.917 kontakte të rasteve.
QËNDRONI NË SHTËPI, KJO UA SHPËTON JETËN!
MBANI DISTANCË SOCIALE PËR 2 METRA!
NA NDIHMONI PAK QË TË JU NDIHMOJMË SHUMË!
Ju faleminderit për mirëkuptim!
(F.GJ/FAXWEB.AL)