Sokol Cikalleshi ndryshon ekip, por mbetet në Turqi, aty ku është stacionuar prej disa vitesh. Sulmuesi kavajas, pikë referimi edhe në kombëtaren kuqezi, ka firmosur sot për Konyaspor, skuadër e elitës së futbollit turk.
Sipas klubit në fjalë, shqiptari është kontraktuar për dy sezone dhe planifikohet të mbulojë rolin e qendërsulmuesit. Ja njoftimi i Konyasport me këtë rast:
“İttifak Holding Konyaspor firmos kontratë me Sokol Cikalleshi, i cili luan në pozicionin e qendërsulmuesit. Më saktësisht kemi nënshkruar marrëveshje zyrtare, që e lidh atë me klubin tonë për 2 vite, pas kontrolleve shëndetësore të kryera te sponsori ynë, spitali “Medicana Konya”, këtë mëngjes.
Menaxheri ynë i klubit, Seçkin Özdil, dhe transferimi ynë i ri, Sokol Cikalleshi, morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit, të mbajtur në sallën e takimeve të shtypit, brenda stadiumit të Komunës Metropolitane të Konya.
Cikalleshi, i cili ka luajtur 303 ndeshje në karrierën e tij, arriti të shënonte 92 gola në të gjitha garat. Ai ka luajtur 35 herë me kombëtaren e Shqipërisë, duke shënuar 7 gola. Transferimi ynë i ri, Cikalleshi, do të veshë fanellën me numrin 17”.