Një ditë pas gjetjes së dy trupave brenda valixheve në Itali, dhe që dyshohet se i përkasin çiftit shqiptar Shpëtim dhe Teuta Pasho, Faxweb.al ka kontaktuar me familjarë të tyre në qytetin e Vlorës.
Jashtë kamerave ata janë shprehur se janë në pritje të hetimeve të autoriteteve italiane, dhe të ADN-së që iu është bërë trupave. Ata shprehen se kanë dërguar një të afërm të tyre që të interesohet lidhur me çështjen, dhe shtojnë se nuk mund të prononcohen sa kohë që nuk ka ende një konfirmim nga ana e autoriteteve.
Në Firenze të Italisë u gjetën dy kufoma të copëtuara dhe të futura në tre valixhe. Ata janë gjendur në aksin Firence -Pisa-Livorno, pranë burgut të Solliçianos. Autoritetet italiane kanë dyshime se trupat mund t’i përkasin një çifti shqiptarësh nga Vlora, që janë zhdukur që prej vitit 2015.
Shpëtim dhe Teuta Pasho jetonin mes Italisë dhe Vlorës, derisa u zhdukën pa lënë gjurmë 5 cite më parë. Ata shkuan në 2015 për disa kontrolle mjekësore. Më 1 nëntor, Teuta ka folur me motrën, por më 2 nëntor, ata s’u përgjigjën më në telefon. Raportohet se ata kanë pasur debate me të dashurën e djalit, por s’kanë më të dhëna për ta.
Sipas asaj që shkruanin dje mediat italiane një tatuazh si spirancë me emrin e një qyteti shqiptar mund të ndihmojë në zgjidhjen e çështjes së dy trupave të copëtuar dhe të gjetur në 3 valixhe.
Si u gjetën kufomat?
Eshtrat e gjetura ishin mbështjellë brenda valixheve, të gjitha të lidhura me shirit ngjitës. Këmbët e gruas u gjetën në një valixhe, ndërsa pjesa e sipërme e trupit të saj në një valixhe tjetër.
Valixhet ishin rreth dhjetë metra larg njëri-tjetrit dhe duket se ishin hedhur nga një makinë në lëvizje. Policia italiane po kërkon edhe për një valixhe tjetër, që mendohet se do të ketë pjesët e tjera të trupit të gruas.
Pjesët e trupit të burrit, mendohet se i përkasin një personi të moshës rreth 46 vjeç. Trupi i tij është gjetur i ndarë në copa, dhe i çarë në fyt. Mendohet se vrasjet mund të jenë bërë më shumë se një vit përpara. Ndërkohë, vijojnë akoma hetimet për të gjetur ndonjë valixhe tjetër me trupa viktimash.