Ka siguruar një sukses të jashtëzakonshëm në Teatrin “Skampa” komedia”Çifti i çuditshëm”. Interesi i publikut ka bërë që aktorët të mendojnë ta japin shfaqen edhe gjatë fundjavës së ardhshme, ndonëse fillimisht ishte menduar të prezantohej dy netë.
Komedia sjell një manual për të gjitha marrëdhëniet në çift nëpërmjet batutave dhe humorit duke përfshirë edhe skutat më të fshehta të këtyre marrëdhënieve, kjo mendohet të jetë dhe çelësi i suksesit.
Trajtuar me kujdes dhe përkushtim nga regjisori Aldi Hysotoçi, me një kastë të gjerë aktorësh profesionistë: Genc Fuga, Aleks Seitaj, Mehmet Xhelili, Gëzim Rudi, Mario Elezi, Klajdi Malellari, Eriona Kakeli dhe Linda Jarani, kjo shfaqje dhuroi për publikun shumë të qeshura dhe të papritura.
Vetë aktorët shprehen të emocionuar dhe të befasuar me mikpritjen e spektatorit elbasanas.
“E vërteta është se jam ndjerë shumë mirë. Jam ndjerë jashtëzakonisht i mbështetur. Sigurisht e ndjej veten të lumtur dhe të vlerësuar nga publiku. Janë kontaktet me publikun, që vetë personalisht i kam të shtrenjta”, tha Fuga.
“Jam ndjerë mirë dhe me atmosferën pozitive që publiku i Elbasanit na ka dhuruar. Jam surprizuar nga dashuria e madhe. E dija që do kisha ngrohtësi, por jo kaq shumë. Të gjithë ata që nuk e kanë parë, të vijnë ta shikojnë dhe të argëtohen”, tha Aleks Seitaj.
Felix Ungar, një burrë i përkushtuar tej mase te gruaja e tij, divorcohet dhe pranon një ofertë nga miku i tij Oscar Madison që të jetojnë së bashku. Felix e çmend Oscarin me obsesionin e tij ndaj ish gruas dhe fiksimet e çuditshme. Një komedi ku vihet në provë miqësia dhe dashuria, karaktere që përplasen në këndvështrimet që kanë për jetën.
Faxweb/Nijazi Mema