Përfundimi i projektit të bulevardit në Podujevë dhe përurimi i tij kanë bërë bujë të madhe në Kosovë. Qytetarët po tallen me Komunën e Podujevës, ku në vend të drunjve që ishin në shesh, janë vendosur drita.
Sheshi i ri i Podujevës është kthyer në objekt talljeje. Qytetarët në rrjete sociale kanë shpërndarë fotografi e video duke e krahasuar Podujevën me Las Vegasin e Japoninë.
Madje, qytetarët thonë se ky shesh do t’i sjellë edhe përfitime materiale Podujevës, pasi tashmë kanë filluar edhe “ofertat” për të kaluar një fundjavë atje.
“Arrijnë turistët e parë aziatikë në qendrën e re të Ballkanit, Podujevën, thonë se kaq ndriçim s’kanë parë as në Japoni”, është një tjetër koment që është shpërndarë në rrjetet sociale.
Dikush tjetër po konsideron se dritat dhe semaforët në Podujevë janë mrekullia e tetë e Botës.