Kryeministrja e Estonisë Kaja Kalas ka paralajmëruar bashkëqytetarët e saj se mund të ketë ndërprerje nëse Rusia heq shtetet baltike nga rrjeti i përbashkët elektrik. “Ne duhet të jemi të përgatitur për faktin që Rusia mund të shkëpusë Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë nga rrjeti elektrik,” tha Kalas në një fjalim televiziv të enjten mbrëma.
“Do të ishte e mençur të përgatiteshim për ndërprerje të mundshme të energjisë – kjo prek sektorin publik, kompanitë dhe çdo individ,” shtoi ajo.
Në të njëjtën kohë, gati 3000 rezervistë janë thirrur për të marrë pjesë në një stërvitje vjetore të mbrojtjes që do të zgjasë një javë, me Kalas duke theksuar megjithatë se nuk ka asnjë kërcënim të menjëhershëm ushtarak kundër vendit. Kryeministri i Estonisë u bëri thirrje rusëve që jetojnë në vend që të shpërfillin thirrjet për të shkuar dhe për të luftuar në Ukrainë:”Mos shkoni, sepse nuk ka kthim prapa”.
17 vite që kur u bashkuan me BE-në, vendet baltike – Lituania, Letonia dhe Estonia – janë ende të varura nga Rusia për importet e energjisë elektrike. Një projekt 1.6 miliardë euro i financuar nga BE synon t’i shkëpusë ato nga rrjeti i përbashkët elektrik që ndajnë me Rusinë dhe Bjellorusinë deri në vitin 2025.
Presidenti i Lituanisë Gitanas Naušeda tha në qershor se vendi i tij ishte gati në rast se Rusia ndërpret energjinë elektrike si hakmarrje për vendimin e Vilnius për të bllokuar dërgimin e disa produkteve nga Rusia në enklavën ruse të Kaliningradit.
Rrjeti evropian i energjisë elektrike ENTSO-E do të lidhet me rrjetin e vendeve baltike brenda 24 orëve nga shkëputja nga rrjeti rus, duke parandaluar ndërprerjen, njoftoi operatori i rrjetit në korrik të Lituanisë Litgrid. “Nëse Rusia na ndërpret, edhe sot, ne do të jemi gati. Analizat tona tregojnë se rryma nuk do të jepet me kartelë, nuk priten shqetësime serioze”, kishte theksuar ai.