Disa persona të maskuar kanë grabitur një bankomat të një banke, duke përdorur një mjet shpërthyes. Personat në fjalë gjatë ikjes kanë shtënë edhe me armë zjarri, mirëpo nuk raportohet për të lënduar. Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 5:30 në “Rrugën B” në Prishtinë.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti, ndërsa bën të ditur se nuk raportohet për të plagosur.
“Sot rreth orës 05:30 kemi pranuar informatën për një shpërthim në ‘Rrugën B’ në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni strukturat rajonale për hetimin e krimit me një intensitet të shtuar kanë filluar ndërmarrjen e një varg veprimesh operative dhe hetimore. Duke u mbështetur në rezultatet e para të grupit hetimor që po zhvillon hetimet lidhur me rastin në fjalë, dyshohet se një grabitje është realizuar duke dëmtuar një bankomat të një banke me një mjet shpërthyes (eksploziv) nga disa perona të dyshuar, të cilët në ikje e sipër kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të një personi (roje). Nuk raportohet për persona të lënduar”.
Derisa ekzaminimi po vazhdon në vendngjarje, hetuesit policorë janë duke punuar në identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar. Koha.net ka publikuar edhe videon e momentit të grabitjes së bankës në Prishtinë.