Detaje të reja mësohen nga ngjarja e rëndë që ndodhi në fshatin Buçimas në Pogradec, ku 44 vjeçari Olsi Çekiçi i preu kokën nënës së tij Firdes, dhe la të plagosur të vëllanë. E gjithë ngjarja dyshohet se ka agravuar për shkak të një telefoni që mbante vajza 15-vjeçare e autorit, ndërkohë që gjyshja ka ndërhyrë për qetësimin e situatës.
Viktima ka hyrë në mes për të mbrojtur mbesën ndërkohë që kjo i ka marrë jetën. Olsi Çekiçi ka qenë një personazh problematik, dhe konsumues i drogërave, ndërkohë që ka pasur dënime dhe në Itali, pikërisht për shkak të trafikut të narkotikëve.
Të afërmit hedhin akuza në drejtim të shtetit, për shkak se sipas tyre 44 vjeçari duhet të ishte ndjekur nga mjekët, edhe pse vazhdimisht kishte refuzuar që të merrte ilaçet që i jepeshin.
Gjatë ditës së djeshme ai nuk kishte shfaqur pendesë për krimin që kishte kryer, duke thënë se kjo ngjarje do të ndodhte herët a vonë. Ka qenë vajza e mitur ajo që ka lajmëruar Policinë, e cila nuk ka mbërritur dot në kohë për të shpëtuar jetën e të moshuarës.
Sapo kanë mbërritur në derën e shtëpisë së 44-vjeçarit, punonjësit e Policisë kanë parë kokën e së moshuarës të shkëputur nga trupi. Sipas bashkëfshatarëve, Olsi Çekiçi njihet si problematik dhe i dhùnshëm, ndërsa nuk ishte hera e parë që kishte debate dhe dhùnë në familjen e tij.
Po ashtu, burime nga Spitali i Pogradecit bënë të ditur se 44-vjeçari ishte një person i kartelizuar me probleme mendore, por që asnjëherë nuk ka pranuar të merrte mjekim, si dhe ishte përdorues i lëndëve të forta narkotike. Sipas burimeve nga uniformat blu, Çekiçi më herët ka qenë i shoqëruar në Polici për disa ngjarje të ndryshme.
(E.K/Faxweb.al)