Sali Berisha ka qenë sot në Lushnjë ku prezantoi dhe kandidatin e bashkisë Eduart Sharkën. Berisha përmendi dhe Ardian Koçin një socialist të cilin e kanë pushuar pasi dha intervistë te Zëri i Amerikës për mbrojtjen e Karavastasë, gjë që bie ndesh me oligarkët e Ramës sipas Berishës. Ai i fton të gjithë socialistët e ndërshëm si i quan Berisha, të bashkohen me të për t’i dhënë fund monizmit në Shqipëri dhe të vendoset sërish pluralizmi.
Berisha thotë që kanë nxjerrë mësim nga gabimet dhe se do të ndjekin çdo rrugë ligjore dhe të nevojshme për ta rrëzuar kryeministrin.
Ai denoncon të afërmit e Ramës për vjedhje dhe abuzim nga qeveria me tendera të ndryshëm, të cilët u kanë sjellë fitime miliona euro, ndërkohë që qytetarët nuk përfitojnë asgjë. Një denoncim tjetër është dhe në sektorin e energjisë elektrike, ku kryedemokrati shprehet se sekserët, energjinë e shesin në bursë dhe paratë i ndajnë me qeveritarët.
Berisha: “Do të ju jap një shembull, nuk e kam takuar kurrë; Ardian Koçin, drejtorin e Karavastasë, socialist i thekur më kanë thënë, ska rëndësi, por punëtor i thekur më kanë thënë. E morën e pushuan se i dha invervistë Zërit të Amerikës, nuk ishte halli i intervistës jo, por ishte halli se nuk firmoste ndërtimet e oligarkëve në Karavasta, mbronte Karavastanë.
Shtrojeni ju pyetjen. Por çdo socialist i ndershëm duhet të bashkohet me ne, ta ndalim këtë të keqe të madhe, ti tregojmë vendin këtij regjimi, të dalim nga monizmi.
Liria është oksigjeni i jetës njerëzore, monizmi ndrydh lirinë, zhduk lirinë, shkelmon lirinë, ndaj dhe ne në 14 maj nuk votojmë vetëm për Eduart Sharkën, nuk votojmë vetëm për kandidatët e tjerë, por votojmë për ti dhënë një përgjigje me votën tonë monizmit, për të rivendosur pluralizmin.
PD-ja është parti që solli pluralizmin, por pati dramën e saj të kontribuojë në vendosjen e këtij monizmi, sepse braktisi zgjedhjet lokale të 2019, në një akt absolutisht antidemokratik, akt antikushtetues. Çfarë do të thotë kjo. Ne nxjerrim mësime nga gabimet. Në statutin që miratuam në 11 dhjetor të 2021 vendosëm një nen; nuk ka bojkot zgjedhjes kurrë, nuk bojkotojmë zgjedhje ne sa të qëndrojmë në skenën politike. Ne tani duhet ta bëjmë natën ditë, për ti rikthyer Shqipërisë pluralizmin me 14 maj. Edhe si akt, të përgjegjësisë tonë.
Ju keni konstatuar se çfarë qëndrimesh antikushtetuese, antidemokratike mban Edi Rama, për përpjekjet e tij të turpshme dhe kriminale për të mos lejuar PD-në të marrë pjesë në zgjedhje; jo, përpjekja e tij tregon frikën, tmerrin që ka nga vota juaj dhe ju më 14 maj, me të gjithë shqiptarët do ti jepni ndëshkimin që meriton.
Shqipërisë duhet ti dalim zot, ti japim votën e ndryshimit, të bashkohemi
Arrestuan mbrëmë për një tender 2 mln euro, narkomanin e Bulqizës? A e dini ju pse e arrestuan? E arrestuan se nuk pranoi të largohej, donte të kandidonte patjetër dhe ja mbanin dosjen. Por ja ku e keni kryebashkiakun e Fierit, i cili tokën bujqësore e shpall tokë truall për të vjedhur, për të ndarë para. Burgosen vartësit, nuk burgoset ai që është kryesori. Këta vjedhin, vjedhin të gjithë.
Tendera sekrete, tendera sekrete miqtë e mi bëhen vetëm për ndonjë problem të shërbimit të fshehtë, ndonjë problem të Prokurorisë së Përgjithshme. 260 tendera sekrete ka bërë ajo që rri në krah të Edi Ramës, 260 vjedhje. Dhjetëra e dhjetëra prej tyre i fiton baxhanaku i Edi Ramës, i cili me ligj nuk duhet të marrë pjesë në tendera, se ka një ligj që e ndalon. Pra, a do vazhdojë ne në këtë mënyrë. Prandaj dhe Lushnja, Shqipëria bëhet jo tokë e bekuar, por tokë e mallkuar. Por duhet ti dalim zot, duhet ti japim votën ndryshimit, duhet të bashkohemi.
Nuk ka vend si Shqipëria të pasur. Shqipëria është një Norvegji me ujëra. Me strategjinë e ndërtimit të HEC-eve u arrit që sot HEC-et private të prodhojnë 58% të prodhimit të përgjithshëm të energjisë në Shqipëri.
Shqipëria duhet të jetë vend eksportues dhe qytetarët shqiptarë nuk duhet ta marrin me çmimet më të larta, por të ulet çmimi. Bizneset në Shqipëri ta marrin me çmime më të ulëta, sepse prodhohen 2 miliardë kilovat orë më shumë se nevoja. Por çfarë ndodh? Nga qershori deri në shtator, sepse atëherë është kulmi i çmimeve, hapin digat dhe ua shesin sekserëve të tyre, me radhë, me çmim 20-30 euro, ndërkohë që në bursë shitet 150-180-200 euro.
Sekserët, energjinë e shesin në bursë dhe paratë i ndajnë me qeveritarët. Kurse biznesit i rritin energjinë nga 120 në 220 lekë, qytetarët i kërcënojnë me 800 kilovat. Pra a nuk është ky një rast tipik se si një pasuri e juaja, pasuri publike shndërrohet në një mallkim, nuk përfiton kush prej saj përveç qeveritarëve.
A do vazhdojmë ne kështu, por nuk mund të vazhdojmë ne kështu, ne duhet ti dalim zot Shqipërisë.”