Ministria e Turizmit ka reaguar pas lajmeve të shpërndara në rrjetet sociale ku thuhej se burimi nëntokësor i “Syrit të Kaltër” do të transferohej në Korfuz.
Pas denoncimit të bërë edhe nga deputetja e PD, Ina Zhupa, ministria ka dalë me një deklaratë zyrtare ku sqaron se nuk ka asnjë lloj marrëveshje të tillë me Greqinë dhe se pretendimet e ngritura ishin të pavërteta.
Reagim i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, nisur nga disa lajme të përhapura në media të ndryshme mbi një propozim/memorandum teknik të supozuar të furnizimit me ujë me transferim burimi nga Syri i Kaltër drejt Korfuzit, sqaron:
Nuk ka asnjë marrëveshje të tillë dhe as nuk ka pasur diskutime për një projekt të ngjashëm sipas lajmit të përhapur nga mediat. Pretendimet e ngritura janë të pavërteta.
Syri i Kaltër është një pasuri natyrore e Shqipërisë, i cili me vendimet e muajit janar 2022 ka marrë një status më të lartë mbrojtjeje, atë të “Parkut Natyror” me një sipërfaqe të rritur në 293 hektarë, për të mbrojtur më mirë Monumentin e Natyrës me të njëjtin emër, që mban brenda parkut.