Të rriturve nën 40-vjeç në Britani do tu jepet një alternativë e vaksinës AstraZeneca kundër Covid-19 për shkak të rrezikut nga mpiksja e gjakut.
Rregullatori britanik i sigurisë së barnave bëri me dije se janë regjistruar 242 raste të mpiksjes së gjakut dhe 49 vdekje pas aplikimit të 28.5 milionë doza të AstraZeneca. Ndërkohë rreziku për mpiksje gjaku thuhet se është pak më i lartë te grup-moshat e reja.
“Pasi normat e koronavirusit po vihen nën kontroll, ne këshillojmë që të rriturve të moshës 18-39 vjeç, pa sëmundje të tjera, t’iu ofrohet një alternativë e vaksinës AstraZeneca, nëse është e disponueshme dhe nëse nuk shkakton vonesa në vaksinim”, tha Wei Shen Lim, nga Komiteti i Përbashkët për Vaksinimin dhe Imunizimin në Mbretërinë e Bashkuar.
Vaksina e kompanisë anglo-suedeze AstraZeneca është lidhur me disa raste të mpiksjes së gjakut, që shfaqen pas niveleve të ulëta të trombociteve në gjak.
Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) ka rekomanduar që vaksina të përcillet me paralajmërimin se shkakton mpiksje të rralla gjaku, por ka theksuar se përfitimet nga vaksina i tejkalojnë rreziqet.
(R.G/Faxweb.al)