Eksperti i ekonomisë, Dritan Shano ka dhënë një intervistë për Fax News ku ka folur lidhur me krizën aktuale që po përjetojnë të gjithë konsumatorët në Shqipëri me rritjen e lartë të çmimeve për produktet e shportës dhe për karburantet.
Shano tha se kjo situatë nuk mund të rregullohej as nga qeveria dhe as nga bordet e ngritura por nga vetë tregu që duhet të vendosë çmimet në raport me fuqinë blerëse në Shqipëri. Mes të tjerash ai tha se “bordet e transparencës” duhet të shkriheshin pasi po shqetësoheshin më shumë për shitësit sesa për konsumatorët.
“E kemi thënë se nuk funksionon protesta dhe as bordi. Sot bordi ka një ndjeshmëri gjithnjë e më në rritje që po mbron kartele të karburanteve në treg më shumë sesa konsumatorët. Pse e them unë këtë gjë? Sepse nuk ka një raportim sesa është fitimi i këtyre kompanive të karburantit, apo sa është humbja nëse ato janë duke humbur. Sa punëtorë kanë nxjerrë të papunë për shkak të momentit të vështirë. Njerëzit nuk e kanë këtë raportim dhe ka të ngjarë që mos ta kenë ndonjëherë për sa kohë bordi të jetë atje dhe të punojë më shumë për shitësit sesa për blerësit.
Unë mendoj se këtë situatë të çmimeve duhet ta zgjidhë tregu në përputhje me fuqinë blerëse që kanë shqiptarët dhe duke mos pasur ndërhyrjen e qeverisë. Sepse fiksimi i çmimeve është një akt ilegal qoftë edhe kur bëhet në kushte emergjence.”- u shpreh ekonomisti.
Më tej ai tha se rritja e çmimeve do të vijonte edhe për rreth një vit apo 2 vite të tjera si pasojë e sasisë së madhe të parave që qeveritë kishin hedhur në qarkullim gjatë covid-19.
“Më lejo të të them se këto çmime do të vazhdojnë të rriten ndoshta edhe për 1 vit apo 2 vite të tjera. Rritja e çmimeve është e lidhur drejtëpërsëdrejti me sasinë “monstruoze” të parave të hedhura në qarkullim nga qeveritë gjatë periudhës së pandemisë.
Duhet që qeveria të merret me shtresat më në nevojë duke u kaluar atyre transferta në “CASH”. Kur them për shtresat në nevojë e kam fjalën për pensionistët të cilët janë shtresat më e pambështetura. E gjithë kjo qeveri me borde duhet të mbarojë një orë e më parë dhe qeveria ato resurse që ka t’i vërë në dispozicion të mos-rënies së standartit të jetesës të kësaj shtrese të pambrojtur”– tha Shano.