AktualitetEkonomiFlashKryesoreTe FunditTe Gjitha

Boom-i i ndërtimeve në Tiranë, lejet e dhëna kapin shifra rekord që nga viti…

Vrulli i ndërtimeve në kryeqytet është më i larti, të paktën i dekadës së fundit, ndonëse popullsia është në rënie dhe kërkesa për të blerë një apartament është maturuar. Sipas të dhënave historike të INSTAT, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi në 6 muajt e parë të 2019-s është më e larta që prej vitit 2011, kur Instituti i Statistikave i raporton të dhënat të ndara sipas qarqeve (shih grafikun).

Në 6 muajt e parë 2019, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi ishte 753 mijë metra katror, që i korrespondon një vlere të përafërt ndërtimi prej 224 milionë eurosh, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT.

Kjo sipërfaqe është më shumë se dyfishi i rekordeve të mëparshme, të arritura në gjysmën e parë të 2014-s dhe të 2018-s.

E ngjeshur do të jetë sidomos dhe zona e qendrës së kryeqytetit, ku apartamentet do të shiten duke filluar nga 2,000-2500 euro për metër katror dhe zyrat mbi 2500-5000 euro/m², ndërsa maksimumi ka arritur në 4,000 euro/m2 për apartamentet dhe deri në 15 mijë euro/m2 për dyqanet.

Sipas agjencisë Colliers International Albania, që vepron në industrinë e shërbimeve të pasurive të paluajtshme, sipërfaqja totale e parashikuar të ndërtohet gjatë 5 viteve të ardhshme (duke supozuar ecuri normale të ndërtimit) në zonat qendrore të Tiranës (projekte të një shkalle të caktuar) është vlerësuar të jetë rreth 538,000 m².

Ndërtimet pritet të jenë me ritme të larta për 2019-2021. Bashkia e Tiranës parashikon të mbledhë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja 3.2-4 miliardë lekë në vit, deri në vitin 2021, që i korrespondon minimalisht rreth 350-400 milionë euro investime në vit vetëm në sektorin e ndërtimit në kryeqytet.

Këto projekte po zhvillohen në një kohë që shtesa e popullsisë së kryeqytetit u përgjysmua në 2019-n. Sipas të dhënave të INSTAT, në 2019-n, në qarkun e Tiranës kishte gjithsej 895 mijë banorë. Ndonëse Tirana dhe Durrësi janë të vetmet qarqe që po rezultojnë me rritje, në kryeqytet në 2019-n u shtuan 11 mijë banorë, nga 21 mijë banorë vitin e mëparshëm.

Edhe ky fluks që vjen nuk ka kapacitet për të blerë apartamente të shtrenjta. Operatorët e tregut thonë se prurjet e reja në qytet furnizojnë njëkohësisht tregun e qirasë dhe të shitjes, por ata i përkasin një fashe që kërkojnë çmime ekonomike, gjë që nuk përputhet me bumin e ndërtimeve luksoze dhe me çmime të larta.

“Po ndërtohet në mënyrë të frikshme jashtë çdo logjike tregu”, thotë Stela Dhami, partnere menaxhuese e Colliers International. Ajo shton se projektet po ndërmerren pa pasur një koncept të qartë për zhvillimin e logjikshëm të tregut.

“Investimet janë të orientuara nga vendndodhja, pa parë potencialet zhvillimore, pasi perceptohet që risku është zero kur është vendndodhje parësore”.

Shqetësimi më i madh i operatorëve kryesorë në treg është se ndërtimet në zonën e Tiranës po bëhen pa studime empirike dhe pa u mbështetur në një analizë se si do të vijojë ecuria e kërkesës në Tiranë.

Operatorët e tregut, që nuk pranojnë të identifikohen, parashikojnë se do të ketë një bllokim të tregut të patundshmërisë në dy apo tre vitet e fundit, nxitur si nga rënia e kërkesës, edhe nga fryrja e çmimeve në raport me fuqinë blerëse në vend.

Burimi: Monitor

A mendoni se jemi në gjendje të mbrohemi apo të menaxhojmë një 'krizë" të shpërthimit të Koronavirusit në vend?

Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *