AktualitetFlashKryesoreTe FunditTe Gjitha

Boja e korsive të biçikletave është kancerogjene, pedagogu Abazi: Aroma ishte shumë e fortë, u largova nga banesa!

Prej disa ditësh Bashkia e Tiranës ka nisur një aksion për shtrimin me bojë të kuqe të korsive të biçikletave, për të cilat shumë qytetarë janë shprehur se kanë një aromë të rëndë dhe mbytëse.

Ndërkohë në një intervistë për Fax news pedagogu i kimisë Sokol Abazi ka dhënë detaje dhe për rrezikshmërinë e substancave që ka kjo bojë.

Ai tregon se në rast ekspozimi të njerëzve për një kohë të gjatë në një ajër të tillë mund të shkaktojnë probleme të shumta shëndetësore, e madje dhe kancer.

Sipas tij ka disa mënyra që pasojat të jenë më të pakta, siç është hedhja e bojës gjatë ditës pasi ka mundësi zbërthimi të molekulave të rrezikshme.

‘’Ambientet e shtëpisë sime ishin të mbushura me atë aromë, ishte e pamundur që të qëndroje në shtëpi, dhe jam detyruar që të largohem atë natë, pasi unë e njoh mirë këtë substancë, pasi kam realizuar mbrojtjen time doktorale për këtë temë.

Do të ishte mirë që të merreshin masat që kur hidhej kjo lëndë të mos kishte ekspozim ndaj popullatës. Unë e kam përdorur këtë substancë në laboratorë, po në rast se nuk kontrollohet mund të shndërrohen në kancerogjene. Ka mijëra molekula të vogla që do ishte shumë e përshtatshme që të hidhej si masë në orët e para të mëngjesit, ose të krijohej një ndriçim artificial, dhe masa më e pakët që mund të merrej ishte një maskë për punonjësit. 

Aroma është shumë e fortë, dhe mund të përdoren vetëm kur evitohet kontakti me njerëzit. Përdorimi i këtyre substancave në një kohë të gjatë sjell dëme në rrugët e frymëmarrjes, në mëlçi, dhe nëse ndodh për një kohë të gjatë mund të sjellë kancer.

Vetë prodhuesit e këtyre substancave e kanë të shënuar se këto përbëjnë rrëzik. Mendoj se Instituti i Shëndetit Publik, Ministria duhet të ketë kontrolle ndaj këtyre substancave që hyjnë në vendin tonë. Në vendin tonë kriter nuk është cilësia kur përzgjedhim bojën, po është çmimi”, u shpreh Abazi.

Ndërkohë që pedagogu tha më tej se problematika të mëdha sa i përket ndotjes ka edhe uji i pijshëm në vendin tonë, që nuk i nënshtrohet asnjë lloj kontrolli laboratorik. Sipas Abazit Tirana është një nga qytetet më të pajetueshme, pikërisht për shkak të ndotjes.

‘’Ka shumë fëmijë që dianostikohen me sëmundje edhe pse nuk kanë probleme në familjen e tyre, dhe kjo lidhet sa me ujërat dhe sa me ushqimet që ata konsumojmë. Një pjesë e mirë e ujërave që ne pimë nuk kontrollohen, VKM-ja për cilësinë e ujit të pijshëm asnjëherë nuk zbatohet, me pretendimin se nuk ka laboratore që mund ta bëjnë këtë. 

Një vesë shi bie në Tiranë dhe makinat bëhen pis nga një pluhër i kuq, dhe këto janë të gjitha ato pluhra që qëndrojnë në ajër dhe ne nuk arrijmë që ti shikojmë. Nuk ka asnjë mjet mbrojtës që mund të marrim ne si qytetarë, pasi Tirana është kthyer në një qytet të pajetueshëm”, tha më tej Abazi për Fax News.

(E.K/FAXWEB.AL)

LEXO EDHE: https://www.faxweb.al/alarmi-i-pedagogut-si-po-na-helmon-bashkia-e-tiranes-me-korsite-e-bicikletave-mund-te-shkaktoje-deme-ne-melci/

 

 

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *