Bayerni u kualifikua në gjysmëfinalen e 12-të të Ligës së Kampionëve, teksa vetëm Real Madridi ka një të tillë më shumë. Sa herë që ka eliminuar Barçën, skuadra bavareze ka përfunduar duke fituar titullin: më 1996 dhe 2013. Tani është koha për të synuar finalen, duke mposhtur fituesin e Manchester City-Lyon.
Sidoqoftë, në Gjermani ëndërrojnë edhe një finale mes Bayernit dhe Leipzig . Do të ishte finalja e parë gjermane që nga viti 2013, kur Bayerni mposhti Dortmundin në “Wembley”. Dhe “Bild” i inkurajon të dyja ekipet: “Na jepni një finale gjermane, gjigantë”!
Shtypi gjerman u ekzaltua me kampionët e Bundesligës dhe bëri “hajgare” me Blaugrana-t. “Ishte një tjetër nivel, një shkátërrim, një poshtërim dhe një shfaqje e forcës”, – shkroi “Bild” në versionin e tij në internet, duke nënvizuar se “diçka “historike kishte ndodhur”. Sa i përket figurës së Messit, vlen të përmendet ashpërsia me të cilën iu drejtuan atij disa bavarezë . “Opsionet nuk ishin të gjitha të këqija për të. Ai kishte planifikuar pushime për ditën tjetër, mezi po priste”, ironizoi ish-lojtari i Bayernit, Mehmet Scholl.
Lojtarët aktualë të gjigantëve bavarezë, gjithashtu nuk kishin dhembshuri në deklaratat e tyre. Kur u pyet nëse ndien keqardhje për Messin, kur e panë “të shtrirë në tapet”, Leon Goretzka u tha kamerave të “Sky”: “Nuk ishte keq, ai më argëtoi”. Sa i përket rëndësisë së fitores, Goretzka shtoi: “Ne jemi euforikë. është diçka shumë e veçantë. Unë mendoj se do të zgjasin disa ditë derisa ta asimilojmë atë që kemi përjetuar”.
Shoku i tij i skuadrës dhe kombëtares, Joshua Kimmich, u pajtua me këtë qëndrim: “Kjo që kemi bërë, tetë gola kundër Barcelonës, është e vështirë për t’u kuptuar. Ishte e jashtëzakonshme”.