Është kryer nën masa të pazakonta mëngjesin e sotëm falja e Kurban Bajramit për besimtarët myslimanë.
Për shkak të pandemisë, këtë vit falja nuk u bë në shesh por në xhaminë e Kokonozit, e cila gjendet në qendër të Tiranës. Falja u bë duke respektuar masat kundër Covid-19, të përcaktuara edhe nga Komiteti Mysliman i Shqipërisë, në një numër të kufizuar të besimtarëve që ishin të pranishëm në ambientet e brendshme të xhamisë.
Muslimanët kudo në botë festojnë sot festën e Kurban Bajramit, e njohur si Festa e Sakrificës. Kjo festë disaditore është një nga dy festat më të rëndësishme të Islamit.
Kjo ditë shënon vullnetin e Ibrahimit (Abrahamit në Bibël) për të sakrifikuar djalin e tij, sipas urdhrave të Zotit. Muslimanët e shënojnë këtë ditë duke bërë kurban një dele ose nje dhi. Mishi ndahet mes pjesëtarëve të familjes, mes miqve dhe i dhurohet të varfërve.