Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka mbledhur Kryesinë sot për të folur për situatën politike në vend dhe procesin e Primareve.
Berisha theksoi se ky proces e ka trembur kryeministrin e vendit Edi Rama, duke e quajtur hapin më të madh institucional të ndërmarrë ndonjëherë në historinë e kësaj force politike.
Berisha mbledh Kryesinë e PD-së: Ndryshimi thelbësor të PD-së, ato kanë krijuar një impakt shumë pozitiv tek anëtaret dhe simpatizantët por në terësi tek të gjithë shqiptarët që besojnë tek vota e lirë dhe tek respekti i individit. Shqiptarët kanë nevojë jetike për ndryshimin e PD-së si parti e shpresës, besimit, e të ardhmes. Ndryshimi, natyrisht realizohet vetëm me vepra, hapa konkrete. Në këtë kontekst ne pas ndryshimeve të thella dhe një cikli të paprecedent votash në parti, pas miratimit të kushtetutës tonë partiake dhe Primaret ne tani kalojmë në zgjedhjet vendore.
Kjo përbën ndryshimin më të madh të kësaj force politike në 30 vite dhe hapjen e saj institucionale më të madhen në tërë ekzistencën e saj. Primaret janë forma më institucionale, më e rëndësishme e kësaj hapje, kemi mbi 200 kandidatura që vijnë nga PD, shoqëria civile, bota akademike por edhe nga diaspora.
Të gjithë këto gra e burra që kanë vendosur të marrin pjesë dua ti falenderoj për nderin që i bënë PD-së me vendimin e tyre. Këto janë primaret e para që zhvillohen në këtë formë në historinë e PD-së dhe të vendit. Një proces që po vlerësohet në të gjithë spektrin politik dhe një proces që në fakt ka tronditur thellë Edi Ramën dhe grupin e tij mafioz, që në vend të rregullave të demokracisë ka përcaktuar në partinë e tij rregullat e bosit të mafias, ku vendos vetë gjithçka, ku nuk ekzistojnë as forume dhe as vota e lirë.