Një ndërtesë 4 katëshe është kërcënuar nga flakët në orët e paradites së sotmshme në qytetin e Beratit. Banesa e shtetasit Nuri Hibro ndodhet prapa bashkisë së qytetit,në lagjen “10 Korriku”.
Vila 4-katëshe kishte kaldaja në të gjitha katet,të cilat ishin të lidhura me oxhakun me dru dhe mësohet se zjarri mund të jetë shkaktuar nga bllokimi i oxhakut që mendohet të ketë kthyer mbrapsht flakët. Flakët dhe tymi janë përhapur me shpejtësi në të gjitha katet por falë ndërhyrjes së menjëhershme të zjarrfikësve flakët e zjarrit janë neutralizuar shpejt. Në banesë jetonte vetëm një çifti i moshuar,të cilët janë nxjerrë jashtë pa lëndime.
Në vendngjarje, përveç forcave të shumta zjarrfikëseje kanë shkuar edhe forca të policisë,që kanë bllokuar për disa minuta qarkullimin e mjeteve nga frika e flakëve dhe tymit,pasi banesa ndodhet në anë të rrugës së vetme që përshkon qytetin. Edhe pse paraprakisht mendohet se zjarri mund të ketë ardhur si pasojë e oxhakut,ekspertët në vendngjarje po punojnë për zbardhjen e shkaqeve të zjarrit që tmerroi gjithë zonën e populluar të kësaj lagjeje.