Një ngjarje e rëndë ka tronditur ditën e djeshme fshatin Dyshnik të Beratit, ku tre persona të afërm gjetën vdekjen në mënyrë tragjike pasi mbetën të bllokuar në pus.
Neim, Kamber dhe Gentian Hoxha, humbën jetën teksa pastronin pusin që përdorej për vaditje nga ana e familjes. I vetmi që doli i gjallë nga pusi ishte Neim Hoxha, por për shkak të gjendjes së rënduar ai humbi jetën gjatë rrugës për në spitalin rajonal të Beratit.
I pari që kishte mbetur i bllokuar në pus kishte qenë xhaxhai, Kamberi, dhe nipërit e tij kishin shkuar për ti ardhur në ndihmë, pa menduar se dhe vetë do të mbeteshin viktima të kësaj ngjarjeje të rëndë.
Ndërkohë familja ka hapur dyert e mortit dhe tre viktimat priten të përcillen për në banesën e fundit në orare të ndryshme dhe nën masa të rrepta sigurie për shkak të gjendjes së pazakontë të COVID-19.
Po ashtu mësohet se djemtë e 77-vjeçarit Kamber hoxha kanë mbërritur në orët e vona pas një udhëtimi të vështirë nga shteti grek.
”Në datën 07.05.2020, ora 07:30, në fshatin Dyshnik, Berat, shtetasi K. H., 75 vjeç, ka hyrë brenda në pus për ta pastruar atë dhe më pas janë afruar dy nipërit për ta ndihmuar, shtetasit N. H., 46 vjeç dhe G. G., 45 vjeç, të cilët kanë mbetur brenda në pus.
Shërbimet e Policisë, zjarrfikëset dhe ambulanca kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Zjarrfikësit i kanë nxjerrë nga pusi trupat e pajetë të këtyre tre shtetasve dhe i kanë dërguar në morgun e spitalit të Beratit. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkakut të humbjes së jetës së tre shtetasve”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë të Beratit.
(M.Q/Faxweb.al)