Rrethrrotullimi në hyrje të Tiranës do të kthehet në “makth” për të gjithë drejtuesit për 4 muajt e ardhshëm. Ministrja Belinda Balluku, e veshur me kamuflazh ishte e shoqëruar nga drejtori i policisë së Tiranës Rebani Jaupi inspektoi punimet dhe një inspektor shpjegoi planin e menaxhimit të trafikut.
“Nga autostrada Tiranë Durrës, mjetet futen me tre korsi për të shkuar në drejtim të Pallatit me Shigjeta. Mjetet që vijnë nga pallati me shigjeta derivojnë në 2 korsi dhe vijnë bashkohen me këta që vijnë nga Tirana. Kemi një detaj kyç që do ta zgjedhim me korsi shtesë. Do shkojmë deri tek Astiri me rrethrrotullim ku do mundësohen të futen në Tiranë”, shpjegoi punonjësi.
Ndërsa drejtori i policisë kërkoi mirëkuptimin e të gjithëve për të gjetur rrugë alternative dhe për të shmangur zonën e ish-sheshit “Shqiponja”, ku me siguri do të jetë çdo ditë kaos i vërtëtë.
“Ne do të bëjmë ndryshim të planit të veprimit të policisë. Do të shtojmë forcat e policisë. Bashkia do na vijë në ndihmë me korsinë e emergjencës. Do mbajmë një korsi emergjencash ndërsa pjesën tjetër do ta menaxhojmë në tre korsi hyrjen në Tiranë. Do të menaxhojmë këtë trafik dhe kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve. Rruga e Elbasanit do të na ndihmojë. Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve që të gjejnë rrugë alternative për të hyrë në Tiranë.
I bëj thirrje të gjithë drejtuesve që të vijnë në rrugë të tjera, sidomos ajo e Elbasanit që ndihmon më shumë por edhe rruga e Ndroqit do ti ndihmojë për të mos hasur trafikun e rënduar. Gjithashtu i kërkoj të shmangin lëvizjet jo të domosdoshme pasi do të ketë trafik të rënduar në këtë 4 mujor”, tha Jaupaj duke shtuar se punimet do të vijojnë edhe në ditët kur vendi të përfshihet nga reshjet e shiut.
(A.M/Faxweb.al)