Prej vitesh, qentë e rrugës janë kthyer në një shqetësim për qytetarët në Shkodër. Për të eleminuar këtë problematikë ka nisur puna për ndërtimin e strehëzës për qentë e rrugës. Një investim i vetë Bashkisë Shkodër, që parashikohet të jetë gati brenda 2 muajsh.
Fax News ka shkuar në vendin ku do të ndërtohet strehimi për qentë, ku të pranishëm kanë qënë Kryetari i Bashkisë Shkodër Bardh Spahia dhe Drejtori i Bujqësisë në Bashkinë Shkodër Alban Sekja.
“Fillimi i këtyre punimeve është jashtëzakonisht i rëndësishëm, e kemi pasur në fokus kryesor për të realizuar këtë strehëz. Po fillojnë punimet të cilat në shume pak ditë do te përfundojnë. Ka për të dalë një strehëz model, vendi më duket tepër i përshtatshëm, larg shtëpive të banimit. Është e projektuar për 22 vendqëndrime ku secili do të mbajë 4-5 kafshë, ku do të jetë edhe dhoma e veterinerit bashkë me magazinën e ushqimit te kafshëve”– tha Alban Sekja.
Ndërsa z.Spahia u shpreh se do te jetë gjithashtu një stacion për ata që duan të adoptojnë kafshët të cilat do i gjejnë të vaksinuara dhe të trajtuara mirë.
Por, ajo që vijon të mbetet shqetësuese dhe kërkon zgjidhje nga çdo bashki dhe institucionet e tjera ligjzbatuese është frenimi i fenomenit të sjelljes së këtyre kafshëve endacake nga bashkitë e tjera apo edhe rajoni. Kjo ka ndikuar që sot në rrugët e Shkodrës, numri i qenve endacak të dy apo trefishohet…
Ky është një projekt që për herë të pare po zbatohet nga një bashki në Shqipëri.