Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi tha se opozita e PD dhe LSI në zgjedhjet e 25 Prillit, me ndryshimet e fundit zgjedhore përllogarit 100 mandate.
“Ne me PD e kemi kalkuluar strategjinë elektorale, e kemi perfekte. Me strategjinë e re që ne kemi përgatitur, e cila do të shpallet pasi të mos ketë më ndryshime në kodin zgjedhor, kodi i ri LSI-së dhe PD-së i jep 100 mandate. Ndërsa kodi i vjetër na jep 84 deri në 86 mandate” u shpreh Kryemadhi, duke shtuar se Rama nuk e ka pritur që opozita do të firmoste më 5 Qershor.
“Rama nuk ka pritur që marrëvëshjen e 5 qershorit opozita do ta nënshkruante. Sepse, për hir të së vërtetës edhe ne kemi luajtur një cik bukur”, u shpreh Kryemadhi në emisionin “Opinion”.
Kryemadhi gjatë emisionit ka folur dhe për vendimin e qeverisë që maskat të jenë të detyrueshme dhe në rrugë. Sipas saj përdorimi i maskës për një kohë të gjatë shkakton probleme shëndetësore, pasi sipas saj, nuk lejon oksigjenimin e trurit.
“Vazhdoj dhe t’ju them qytetarëve shqiptarë që maskat në rrugë jo vetëm që janë abuzim psikologjik që i kanë kthyer shqiptarët si qen me maska. E dyta ajo që dua të theksoj është që nëse zoti Rama do të pajisë shqiptarët me maska që të ecin në rrugë le t’ua ofrojë, t’ua blejë dhe t’ua japë falas.
E treta, dua të theksoj higjiena, larja e duarve, mosprekja e fytyrës, mos u puth në buzë me çdo njeri që sheh në rrugë është shumë e rëndësishme. E ndjej të nevojshme si nënë sepse përdorimi i maskës nuk lejon oksigjenimin e trurit dhe çekuilibron pozicionimin e secilit prej nesh. Kjo është një histori që kur të bëjmë emision për shëndetësinë dhe mjekësinë vijmë dhe flasim me personat që janë apostafat për këtë punë dhe ne të tjerët rrimë në backstage për të dëgjuar dhe për t’u iluminuar më shumë.
Tani që dalim dhe i qëndroj çështjes së maskave dhe meqë kryeministri kishte hallin e xhepave, po ua kujtoj që një familje me 5 persona u duhen 92 mijë lekë të vjetra në muaj për maskat e tij. Ai meqë e kishte qepur pa lekë le të bëjë edhe 3 milionë maska të tjerë për shqiptarët se e ka mundësinë si dizenjator dhe rrobaqepës që është”, tha Kryemadhi. (E.K/Faxweb.al)