Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përmes një takimi me gazetarët të mbajtur në ambientet e selisë blu në kryeqytet, ka vijuar denoncimin e tij për aferën e inceneratorëve. Sipas kryedemokratit në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm parashikohet një vlerë prej 20 milionë euro të dedikohet për inceneratorët.
“Ja ku e keni dokumentin. Buxheti më i papërgjegjshëm në 30 vite, gënjeshtra më e madhe në 30 vite, dhe tablo më e qartë e Ramës ndaj shqiptarëve, shqiptarët përballë një njeri, që edhe në muajt e fundit zgjat dorën në xhepat e shqiptarëve.
Kam këtu tabelën se sa kontrata PPP ka planifikuar Rama të japë për vitin që vjen. Kurrë s’ka qenë më e qartë zgjedhja e një qeevrie, të zbatojë planin me 5 pika apo të vijojë vjedhjen deri në ditët e fundit të saj. Qeveria shqiptare ka parashikuar për buxhetin e vitit të ardhshëm plot 20 milionë euro që shkojnë aferën korruptive të inceneratorëve.
Kjo shumë është 6 herë më e lartë se rritja e pensioneve e parashikuar për vitin e ardhshëm. Kjo shumë është 3 herë më e lartë se shuma që është dedikuar për familjet me ndihmë ekonomike. Kurrë nuk ka qenë më e qartë zgjedhja e një qeverie, të zbatojë planin me 5 pika apo të vijojë të vjedhë”.- tha Basha.