Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha vijon takimet, ditën e sotme ai është ndalur në Bashkinë e Kamzës ku ka zhvilluar takim me banorët dhe bizneset.
Banorët dhe bizneset e kësaj bashkie i kanë treguar shqetësimet kreut të Partisë Demokratike duke thënë se nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga qeveria dhe se ekonomia e tyre është rënduar për shkak të situatës s3ë krijuar nga pandemia.
“Tani s’kanë mundësi njerëzit, se janë varfëruar. Leku ka rënë”- tha një tregtar mishi.
“Nuk blejnë njerëzit, sepse të thonë që nuk kanë lekë, lashë 80-100 mijë lekë drita thotë. Lekët e bukës, lekët e mishit i le për dritat” shprehet qytetari tjetër.
“Janë shtuar ata që vijnë e marrin me listë ushqimet, vajin, sheqerin, orizin. Ka raste dhe bananet I marrin me listë me shpresën se do t‘i paguajnë kur të marrin rrogën ose pensionin.” “80 mijë lekë paguaj dritat, kam edhe qira, ai na dha vetëm 400 mijë lekë. Po a jetohet 4 vetëm me 400 mijë lekë për 4 muaj?”- shpreh një tregtar.
“Kam 3 vajza me nga 2 diploma, me mesatare të mirë, por janë pa punë.”- tha një tjetër.
Qytetari: A ekziston ndonjë fije shprese që të rrimë këtu, të punojmë këtu, të jetojmë këtu?
“Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për të gjithë të rinjtë shqiptarë, madje për të marrë edhe ata që janë larguar. Ajo që duhet është që burimet e vendit, pasuritë e vendit dhe taksat tuaja dhe të prindërve tuaj të shkojnë për ekonominë dhe të shkojnë për t’ju ndihmuar juve, sepse sot gjithçka po punon për 5 veta” tha Basha.
Qytetari: Qytetarët janë lodhur! Pritja ka shkuar aty ku s’mban më. Të gjithë e kanë mendjen për të ikur. ” E di, por nuk duhet të ikni. Duhet të bëhemi të gjithë bashkë e të ndryshojmë këtu, se kudo që të ikësh, më mirë se këtu në vendin tënd nuk ka. Problemi nuk është Shqipëria, problem është qeveria, është qeverisja e keqe.” tha kreu i Partisë Demokratike.
Qytetari: Atë e dimë të gjithë po edhe sa duhet? Edhe sa do të presim ne dhe ta durojmë këtë qeveri? “Një orë e më parë. Zullumit po i vjen fundi. Veç të bëhemi të gjithë bashkë dhe t’ia kthejmë Shqipërinë shqiptarëve. Institucionet, taksat, buxhetin, ekonominë t’ua kthejmë shqiptarëve. Dhe të jesh i sigurt, kur ta bëjmë këtë, do të ketë shanse për rininë dhe për këdo tjetër. Shanse për punësim, shanse për mirëqenie.”- theksoi kreu i opozitës.