Shkarkoni aplikacionin e Fax Web

 


AktualitetFlashPolitikëTe FunditTe Gjitha

Basha përkujton heroin e UÇK-së Skerdilajd Llagami: Shqiptarët nuk i kanë penguar kufijtë për t’i shtrirë dorën e ndihmës njër tjetrit

Kryedemokrati Lulzim Basha ka takuar ditën e sotme të atin e heroit të luftës për pavarësinë e Kosovës, Skerdilajd Llagami. Përmes një postimi në facebook me rastin e përkujtimit të festës së Pavarësisë, Basha kujton gjithashtu 23-vjetorin e shfaqjes për herë të parë të UÇK-së, duke thënë se shqiptarët nuk i kanë penguar kufijtë e ngritur padrejtësisht për të shtrirë dorën e ndihmës drejt njëri-tjetrit.

Postimi i plotë: Sot, 23 vite më parë u shfaq publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Më 28 nëntor të vitit 1997, Rexhep Selimi, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi, ishin të parët që dolën para opinionit publik, në varrimin e mësuesit të shkollës së Llaushës, Halit Geci.

Për të gjithë ata që ende nuk e dinin krijimin e UÇK-së, ky ishte një lajm i madh dhe i shumëpritur. Sot ne nderojmë dhe përulemi para sakrificës se luftëtarëve të UÇK-së, shumë prej të cilëve dhanë jetën për lirinë e Kosovës.

Ne shqiptarëve, nuk na kanë penguar kufijtë e ngritur padrejtësisht mes nesh për të shtrirë dorën e ndihmës drejt njëri-tjetrit. Të shumtë ishin djemtë e Shqipërisë që iu bashkuan kësaj lufte, ndër të cilët dëshmorët e kombit Indrit Cara – ushtar Kavaja dhe Skerdilajd Llagami-Komandant Shpendi.

Në një vizitë në familjen Llagami, kujtuam me mall dhe nderim të veçantë heroin e luftës për pavarësinë e Kosovës, Skerdilajd Llagamin – Komandant Shpendin – si dëshmi e pavdekshme e lidhjes së pakëputur mes shqiptarëve. Ai e blatoi jetën e tij në altarin e kësaj të vërtete mbarëkombëtare.

Me Bardhylin, babain e Skerdilajdit, folëm dhe për detyrën tonë sot, që sakrificën e djalit të tij dhe bashkëluftëtarëve të tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës të mos e lejojmë të cënohet nga shpifjet dhe balta e atyre që rreken ta barazojnë agresorin dhe xhelatët me viktimat e agresionit.

Dëshmori i UÇK-së, Skerdilajd Llagami e shkroi emrin e tij me gjak në panteonin e lirisë dhe pavarësisë kombëtare. Familjes së tij, qytetit të Tiranës, Shqipërisë dhe Kosovës, ai u la trashëgim krenarinë dhe amanetin e patjetërsueshëm të mbrojtjes së interesave kombëtare shqiptare me çdo çmim.

Lavdi përjetë sakrificës dhe gjakut të dëshmorëve tanë!

 

Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *