Në një kohë që ministrja Belinda Balluku është autorizuar të zëvendësojë kontrollorët që kanë shpallur paaftësi të përkohshme, me kontrollorë nga jashtë vendit, kjo mund të sillte pasoja të rrezikshme për jetët e pasagjerëve të transportit ajror.
Gazetarja Aranita Brahaj në një postim në rrjetet sociale, thotë se jeta e pasagjerëve nuk mund të ngelet në dorë të kontrollorëve turq, për shkak se ata pavarësisht aftësive që mund të kenë, nuk e njohin relievin shqiptar. Gazetarja shton se jo çdo sektor në vendin tonë mund të menaxhohet në mënyrë provizore, me zgjidhje ”alla Rama”.
Postimi i plotë i Brahajt:
Jeta e pasagjereve nuk ngatërrohet me “sahane turq”
Nese Shteti e Zgjidh me Kontrollor Turq, duhen jave trajnim per ti mesuar karakteristika te relievit dhe ajrit shqiptar. Plus nese EuroControl perligj qendrimin e Kontrolloreve Shqiptar asnje kontrollor i licensuar nuk do te pranoje te beje pune vullnetare per Aeroportin tone.
Shume i rezikshem per jeten e pasagjereve cdo huamarrje e burimeve njerzore qe nuk njohin hapairat e Rinasit. Nuk ngatarrohen sahanet me Turkun per cdo gje. Jo cdo sektor menaxhohet allaRama
Në një njoftim të dhënë pak minuta më parë nga Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil (ICAO), Aerporti i Rinasit do të qëndrojë i mbyllur të paktën deri në orën 15 të pasdites së sotme, ndërkohë që disa prej qytetarëve janë njoftuar se pasdite mund të nisin fluturimet.
Mbrëmjen e djeshme me kërkesë të ministrit përgjegjës për Infrastrukturën dhe Energjinë u mblodh Komiteti i Mbrojtjes Civile, organi i përhershëm i Emergjencave Civile për situatën e jashtëzakonshme të krijuar nga ndalimi i qarkullimit ajror nga ana e kontrollorëve të trafikut ajror.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ngarkoi me detyrë gjatë mbledhjes Belinda Ballukun, për zëvendësimin e kontrollorëve që kanë braktisur detyrën sipas zyrtarëve të qeverisë.
“Ngarkohet ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë për marrjen e masave të nevojshme për të bërë të mundur rikthimin e punës, qoftë edhe duke zëvendësuar e kontrollorët, me të huaj ose me vendas. Të përcaktojë kriteret e licencimit për të rinisur fluturimet sa më parë dhe të bëhet çfarë është e nevojshme për rifillimin gradual të punës. Ministrja Balluku ngarkohet për të bërë gjithçka për të rifilluar punën. E kemi vlerësuar si një kërcënim për Mbrojtjen Civile dhe kemi marrë këtë vendim”, ka thënë Peleshi gjatë mbledhjes.
(E.K/Faxweb.al)