Kryetari i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla i është përgjigjur deklaratës më shumë se një orëshe të presidentit, Ilir Meta para mediave, duke e konsideruar si një provë më shumë bindëse për shkarkimin e tij nga detyra.
Balla shprehet se Presidenti është subjekt keqardhjeje njerëzore dhe vendosmërie ligjore jnga ana e mazhorancës dhe shton se po priten të gjitha procedurat ligjore të duhura sipas tij, për shkarkimin e Mëtës.
Reagimi i kyetarit të grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla:
Presidenti na ka dhënë një provë tjetër shumë bindëse të nevojës për lirimin e zyrës, ku ai ka humbur të drejtën të qëndrojë. Ai tanimë është një subjekt keqardhjeje njerëzore dhe vendosmërie ligjore nga ana jonë.
Ne po presim të votojmë Komisionin Hetimor për shkarkimin e tij dhe do të presim pastaj raportin e Komisionit për të miratuar shkarkimin, të cilin natyrisht do ta shqyrtojë Gjykata Kushtetuese, por deri atëherë jemi të vetëdijshëm se do të kemi një President që si njeri meriton keqardhje, si politikan meriton injorim, si president meriton vetëm shkarkim! Dhe për sjelljen prej gaztori cirku sot dhe gjatë gjithë këtyre kohëve, meriton vetëm përqeshje popullore!
(F.GJ/FAXWEB.AL)