Humbja në “Wembley” ndaj Tottenham vështirësoi ecurinë e Inter në Champions League dhe tani fatin e kualifikimit për në 16-she nuk e ka në dorë të vet, por do të varet edhe nga rezultati i Tottenham në “Camp Nou” ndaj Barcelonës.
Për t’u kualifikuar Inter duhet të fitojë ose barazojë ndaj PSV dhe Tottenham të mundet nga katalanasit, por këta të fundit janë të kualifikuar dhe mund të luajnë pa sforco.
Gjithsesi një gjë të tillë e ka mohuar trajneri Ernesto Valverde që në një intervistë tha: “A do luajë Messi? Do e shihni të martën. Por, mund ta siguroj Interin se do të dalim në fushë për të fituar, pavarësisht lojtarëve që do të zgjedh”, tha fillimisht spanjolli.
Gjithsesi ai theksoi se nuk do të lejojë ndërhyrje të jashtme për formacionin e tij, “Klubi ynë e respekton shumë Champions League dhe përballet në çdo ndeshje për të marrë maksimumin, dhe unë do të bëj zgjedhje në lidhje me interesat tona, jo me ato të Interit”, shtoi ai duke qetësuar Interin, por deri në një pikë të caktuar, shkruan SP.
Por, ka dy dilema të mëdha në formacionin e Barcelonës. I pari është Lionel Messi, i cili është në dyshim nëse do të luajë pasi ka patur shqetësime fizike, ndërsa i dyti është Ousmane Dembele. Francezi vijon të ketë probleme me sjelljen dhe sot është paraqitur në orën 11 në stërvitje, plot 2 orë më vonë se shokët e skuadrës dhe për këtë Valverde mund ta ndëshkojë duke mos e grumbulluar për ndeshjen e së martës kundër Tottenham.