Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 26-vjeçar me iniciale A.Ç, si dhe ka shpallur në kërkim një person tjetër, pasi një ditë më parë ka qëlluar me armë zjarri në Tiranë, në fshatin Qehaj.
Policia zbardh ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në fshatin Qehaj.
Kapet dhe arrestohet në flagrancë personi që gjuajti në ajër me armë zjarri si dhe shpallet në kërkim një shtetas tjetër.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.1, pas marrjes të njoftimit se në fshatin Qehaj, janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, menjeherë kanë organizuar punën dhe falë veprimeve të shpejta dhe profesionale bënë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të autorit të dyshuar, shtetasit A. Ç., 26 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi E.S.
Në vijim të veprimeve të para proceduriale ka rezultuar se këta dy shtetas, ditën e djeshme kanë qëlluar me armë zjarri në ajër në parkingun e një kompleksi dhe më pas janë larguar me shpejtësi për t’i shpëtuar kapjes nga Policia.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.