FlashSportTe FunditTe Gjitha

Atletico mposht VAR-in dhe Juven, CR7 tallet me tifozët spanjollë

Atletico Madrid, pas shumë përpjekjesh dhe vuajtjesh, ka arritur të mposhtë Juventus-in dhe të marrë një fitore 2-0 në ndeshjen   e parë të 1/8-ave të Champions League të luajtur në “Wanda Metropolitano”. Një rezultat aspak i kënaqshëm për spanjollët, të cilët mund të kishin shënuar më shumë po të mos kishte qenë për Diego Costa-n dhe VAR-in.

Ndeshja, ashtu siç pritej, ka qenë shumë e luftuar, por rastet për gol nuk kanë munguar, veçanërisht për vendasit. Me përjashtim të një goditje dënimi të rrezikshme të Cristiano Ronaldo-s në pjesën e parë, e devijuar në goditje këndore nga Jan Oblak, sfida e sotme ka folur vetëm për vendasit dhe VAR-in.

Teknologjia, në fakt, ka qenë protagoniste edhe në këtë takim. Në minutën e 27-të ka kthyer në goditje dënimi një penallti të akorduar fillimisht nga arbitri gjerman Felix Zwayer. Ndërhyrja e dytë shpëtimtare, për bardhezinjtë, ka ardhur në pjesën e dytë, në minutën e 71-të, kur VAR-i ka anuluar një gol të ish-juventinit Alvaro Morata për shkak të një shtyrje ndaj Chiellini-t.

Në mes ka ardhur edhe gabimi i pafalshëm i Diego Costa-s (nuk luan në ndeshjen e kthimit për kartonë), i cili ka falur bardhezinjtë në minutën e 50-të duke dërguar topin jashtë në mënyrë të pashpjegueshme i ndodhur i vetëm përballë portierit të miqve.

Madrilenët, gjithsesi, nuk janë dorëzuar dhe kanë arritur të shënojnë dy herë në harkun e pesë minutave. Gimenez (78′) ka zhbllokuar takimin, ndërsa interisti i ardhshëm, Diego Godin, ka fiksuar shifrat në 2-0, i ndihmuar nga një devijim i Ronaldo-s.

Nuk ka qenë një mbrëmje e mirë për portugezin, i sulmuar vazhdimisht nga tifozët e Atletico-s, ndaj të cilëve është hakmarrë duke i treguar pesë gishtat, po aq sa trofe të Champions League ka fituar në karrierën e tij. Një ngushëllim i vogël për CR7-të, që duket se do t’i thotë lamtumirë para kohe Champions-it në këtë sezon pas tri finaleve dhe tre triumfeve radhazi me Real Madrid.

Ndeshja e kthimit do të luhet 12 marsin e ardhshëm në “Allianz Satdium”.

 

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.