Ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare aktorja e njohur shqiptare, Marika Kallamata e cila njihet gjerësisht për rolet që ka luajtur në Teatër dhe në kinema.
Lajmin e ka bërë të ditur Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila edhe njofton se homazhet do të mbahen nesër, në ambientet e “arTurbinës”, nga ora 11:00-13:00.
“?Ndonëse ka luajtur dhjetëra role në teatër e kinema, ajo do të mbetet për ne, përherë, gjyshja e përrallave.
Marika Kallamata, aktorja e mrekullueshme, gruaja me pamje të paqtë e zë të ngrohtë, u nda prej nesh, duke lënë pas jo vetëm një galeri të pasur rolesh, kujtimesh të dashura, për të gjithë ata që e njohën nga afër, por edhe timbrin e ngrohtë: Na ishte seç na ishte…!
?U prehsh na paqe e dashura jonë, që na e përkunde fëmijërinë me mijëra fantazi!
Homazhet do të mbahen nesër, në ambientet e “arTurbinës”, nga ora 11:00-13:00”, shkruan Margariti.
Aktivitetin artistik e filloi në Teatrin Popullor, në vitin 1950. Ka interpretuar rreth 60 role, ku ndër më të suksesshmit janë: Ortensia, Aspasia, Mara, Fallxhesha, Nina, Ana, Nekija, dhe në mjaf role episodike ka qenë një aktore shumë e mirë. Edhe pse ishte e rrethuar nga dhjetëra aktore të suksesshme, Marika ruajti individualitetin e vet.
Doli në pension, në tetor 1985, por Marika nuk u shkëput nga skena. Në vitin 2004 ajo u ngjit me kolegët e saj në skenë pas shumë vitesh, në dramën “Streha e të Harruarve”, ku korri sukses me rolin e saj. Ka interpretuar pak role në filma artistikë. Është nderuar me titullin “Artiste e Merituar”.
(F.GJ/FAXWEB.AL)