Shkarkoni aplikacionin e Fax Web

 


BlogEkonomiFlashTe FunditTe Gjitha

‘Varfanjakët si ne nuk ndërtojnë dot demokraci’, Fuga analizë modelit ekonomik: Konsumatori xhepshpuar, si bumerang për kapitalin

Nga Artan Fuga

Duke përfituar nga çiltërsia e të anketuarve (800 të anketuar të përzgjedhur në mënyrë rastësore por sipas një kampionimi me kuota përpjestimore të ngjashme me të popullsisë) – studim kolektiv i departamentit të komunikimit të UT – u gjendën “në rrugë” individë të cilët në shumicën dërmuese të tyre i kanë “xhepat e çpuara”:

19 përqind e tyre deklaruan se jetojnë falë asistencës sociale. Imagjinoni që ata as kontribuojnë në prodhimin e përgjithshëm bruto të vendit, as krijojnë vlera të reja, por edhe marrin nga buxheti i shtetit se përndryshe i bie “të vdesin për bukë”.

Ja se ku është plaga e ekonomisë sonë që nuk kërkon vjersha ekonomistësh, fejtone akademikësh, pallavra, utopira politike, propagandë manipuluese, por hapje sysh dhe pranim i realitetit.

Ekonomia nxjerr të papunë dhe individë me asistencë dhe nga ana tjetër buxheti i shtetit paguan pikërisht atë që politikat publike krijojnë, pra masën e parazitizmit të detyruar dhe të varfërisë që matet si lëmoshë e shtetit. Imagjinoni sesa lehtë mund të manipulohen elektoralisht këta njerëz kur vihen para dilemës : a do të ardhmen e dyshimtë të ndritur nuk dihet se kur, apo dëshiron asistencën sociale në fund të këtij muaji, ta zemë të prillit 2021.
Këtu iluzionet janë të rrezikshme!

Të mendojmë se edhe ata kamarierët, pastruesit, shitësit, rojet, etj., kanë të ardhura minimale.

Imagjinoni që mbi 40 përqind e atyre që iu përgjigjën anketës thonë se në familjet e tyre kanë të ardhura nën 40 mijë lekë të reja në muaj!!! Një familje me katër veta mesatarisht me 250 euro ose 300 euro në muaj! Kjo mund të pranohet në Indi, por në Shqipëri, në mes të Evropës, me një shtet që “të bie kokës” me tarifat e ujit dhe energjisë, me taksa dhe me një shoqëri me çmime firifiu për arsye që do t’i trajtojmë njëherë tjetër, sigurisht që lekët e kafes gjenden duke ua hequr librave, teknologjisë familjare të informacionit, kujdesit për trupin dhe shëndetin, ngritjes kulturore dhe artistike, etj.

Shih diagramën:

Kur sheh strukturën e harxhimit të buxhetit familjar në ekonominë familjare shqiptare të merr të qarët! Shuaj urinë, shih ndonjë film realisoc në televizion, dil për ndonjë kafe a birrë, veshje te Gabi a aty afër, dhe asgjë tjetër. Ky reduktim i thjeshtëzuar i qenies njerëzore na jep pastaj agresivitetin, injorancën, krimin në shkallë masive.

Por, t’i lemë këto anë. A mund të ketë zhvillim një shoqëri nëse klienti masiv ka këtë fuqi blerëse skandaloze?

Kujt do ja shesin produktet tregtarët e mëdhenj nëse shqiptari masiv ka një listë javore ushqimesh që shkojnë deri te domatja, speci, fasulja, makaronat, vaji, kripa e kjo kategori ushqimesh që i gjen thjesht te cepti i pallatit ku biznesi i komshiut përpiqet t’i sjelli?

Një ekonomi me klient të varfër masiv, sidomos kur numerikisht është shumë e vogël si jona, nuk jep asnjë shans progresi nëse nuk ndryshon modelin e vet ekonomik. Prodhuesi i vogël prodhon për vete dhe pak shet në treg. Prandaj nuk ka likujditete, as hua bankare nuk merr dot, as investime nuk bën dot. Tregtari i madh ka nevojë të marri tendera nga shteti dhe e gjithë bota e madhe e biznesit pastaj do të ushqehet nga PPP sepse ndryshe falimenton. PPP janë marrja e lekëve tona si konsumatorë, lekë të padhëna, por të marra me dhunë nga shteti, dhe që pastaj u jepet bizneseve. Ne jemi klientë të dhunuar.

Një ekonomi tregu nuk mund të funksionojë me një konsumator me duart në xhepat bosh. Sepse një konsumator që nuk ka lekë nuk blen dot. Kujt do t’i shesin tregtarët e qendrave të mëdha tregtare, ku do i shesin produktet industrialistët? Askujt!

E vetmja mundësi që u mbetet është të shtrijnë dorën te shteti për tendera ose PPP që do të thotë se është partia në fuqi që kontrollon ekonominë dhe këtu tregu merr fund.

Të keqen e Kinës!

Bashkë me tregun merr fund edhe klienti sepse paranë ja marrin me dhunë në formë taksash dhe jo si kërkues i lirë mallrash dhe shërbimesh me parà në dorë. Liria e zgjedhjeve merr fund, punësimi i lirë merr fund, lobitë e pavarura nga politika marrin fund, dhe kështu merr fund edhe demokracia.

Varfanjakët si ne e kanë të pamundur të ndërtojnë demokraci!

Prandaj konsumatori duhet të vihet në qendër të politikave ekonomike publike, jo si sot plebej si ata romakë!

Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *