Nazmi Bahçja, një 28-vjeçar nga fshati Drisht i njësisë Postribë në Shkodër, ka bërë këtë të marte një denoncim përsa i përket vendimit të gjykatave. Ai tregon se bashkëshortja e tij, Diana Bahçja, është arrestuar nga policia e Shkodrës me akuzën për ‘braktisje të fëmijës’ nga martesa e saj e parë.
Për këtë, gjykata e shkallës së parë në Tiranë i ka vendosur një gjobë në vitin 2020 prej 2.5 mln lekë të vjetra, duke ia konvertuar me burg me 1 muaj e 20 ditë. Problemi është se bashkëshortja e tij është arrestuar një javë pasi ka lindur djali i saj dhe 28-vjeçari thotë se e ka të vështirë të mbajë djalin pa bashkëshorten…
Ndërkohë, Diana Bahçja e mohon se e ka braktisur vajzën e saj nga martesa e parë. Në një bisedë telefonike nga burgu i grave në Tiranë, ajo thotë se ish-bashkëshorti e ka keqtrajtuar e ka nxjerrë nga shtëpia, ndërkohë nuk ka qenë e pranishme kur i është dhënë vendimi…
E dënuara Diana Bahçja është me origjinë nga Burreli dhe bën apel për lirim nga burgu.
Diana Bahçja: Nuk kam qenë në dijeni për sa i përket gjobës. As në burg nuk kam qenë prezente. Ish-bashkëshorti më ka keqtrajtuar dhe më nxorri nga shtëpia. Kam 5 vjet që jam ndarë prej tij. Qëllimi i tij ka qenë hakmarrës, nuk më kanë komunikuar asnjë njoftim. Erdhën te shtëpia më morën, situata atje është shumë e vështirë tani. Djali im ka shumë pak ditë që ka lindur.
Nazmi Bahçja: Gruaja ime ka qenë e martuar më parë, pasi u divorcua, ka ardhur një gjobë prej gjykatës 2.5 milion lekë të vjetra. Erdhën e arrestuan bashkëshorten, ajo nuk e ka braktisur fëmijën, ka qenë ish-bashkëshorti që e ka nxjerrë nga shtëpia. Fëmija ka qenë 8 ditësh. Apeli im është të lirohet bashkëshortja, është shumë e vështirë të rritësh një fëmijë kaq të vogël pa nënën. Ajo nuk e ka braktisur fëmijën. Unë jam gati që ta marr fëmijën në shtëpinë time. Kërkoj që bashkëshortja të kthehet në shtëpi.”