Arrestimi i Safet Rustemi (Bajri) mbrëmjen e djeshme në zonën e Xhamllikut në kryeqytet ka bërë jehonë dhe në mediat belge, pasi në këtë shtet i riu nga Shkodra ka disa dënime të pashlyera me drejtësinë.
Sipas mediave belge në total, Safet Bajri ka një dënim me 22 vite burg në shtetin belg, për vepra të ndryshme penale që kanë të bëjnë me prostitucionin, trafikun e drogës, rrëmbime personash, etj.
‘’Safet Rustemi konsiderohet nga autoritetet si një nga kriminelët më të rrezikshëm në Evropë. Familja e tij ka kryer disa vrasje në Shqipëri. Në Belgjikë, Rustemi u përpoq të merrte kontrollin e skenës së prostitucionit në Bruksel duke përdorur dhunën.
Vitin e kaluar, ai mori një dënim të parë prej 9 vjet burg. Këtë vit, ai u dënua dy herë, me 8 dhe 5 vjet burg. Megjithatë, në qershor të vitit 2017, ai u dëbua pasi u lirua me kusht. Njeriu qëndroi në mënyrë të paligjshme në Belgjikë”, shkruan media belge ‘’RTBF”.
Në rast se Safet Rustemit do ti hapet një çështje në vendin tonë, atëherë kjo do të sillte dhe bllokimin e ekstradimit të tij në drejtim të Belgjikës. Bajri është kthyer dhe në një mollë sherri për politikën në vendin tonë, ndërsa janë denoncuar lidhjet e tij me deputetët e PS-së në Shkodër.
Vetë deputeti socialist Luan Harusha në një prononcim që ka bërë pak kohë më parë për Fax News është shprehur se akuzat nuk qëndrojnë, pasi njohja e tij me Safet Bajrin ka qenë vetëm për shkak të afërsisë që ka pasur mes banesave të tyre në Shkodër.
Operacioni i natës së djeshme është në vijim të disa aksioneve që FNSH dhe RENEA kanë ndërmarrë në disa qytete kryesore të vendit, që shihen si vatra ku mund të fshihen kriminelë të ndryshëm.
(E.K/FAXWEB.AL)