Rrethanat e faktit në lidhje me kërkesat për ekspertimin e mostrës së ADN-së dhe konkluzionet e Aktit të Ekspertimit, nuk janë marrë parasysh nga organi i akuzës por edhe i gjykatës së Apelit Korçë. Kjo ka sjellë për pasojë dënimin e Martin Arzës me 6.8 vite burg, për një grabitje që ai pretendon që nuk e ka kryer dhe nuk ka marrë pjesë.
Martin Arza ish-punonjësi i policisë tani i dënuar me burg, për veprën penale të grabitjes me dhunë, ka kërkuar në mënyrë konstante nga organi i akuzës që t’i bëheshin analizat e ADN-së dhe të gjatësisë për të përcaktuar në mënyrë shkencore, mospjesëmarrjen e tij në grabitjen e kambistit Shefqet Muça.
Kërkesa e parë i është drejtuar prokurorisë së rrethit Gjyqësor Korçe, më datën 03.02.2023 dhe konkretisht prokurorit Edmond Shytka, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. Kjo ka detyruar avokatët e Arzës që t’i drejtohen për herë të dytë më datën 24.03.2023 kryeprokurores së Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për të lejuar ekzaminimin e mostrës së ADN-së së marrë në vendngjarje. Përgjigjja e organit të akuzës këtë radhë ka qenë “se nuk pranohet kjo kërkesë sepse çështja është shqyrtuar nga Gjykata, përgjigje kjo e pambështetur nga asnjë bazë ligjore.
Në lidhje me aktin e ekspertimit kriminalistik është kërkuar të ekzaminohet në mënyrë shkencore se sa mund të jetë gjatësia e personave të cilët shfaqen në pamjet filmike të cilat janë ekzaminuar si prova nga ana e prokurorisë Korçë.
Në aktin e parë të Ekspertimit me nr.95 të datës 14.09.2022 që është akt ekspertimi teknik me video dhe fotografi sinjalistike është arritur në konkluzionin se njëri prej personave që shfaqet në pamjet filmike të kamerës së sigurisë së një banese private është i gjatësisë duke përfshirë edhe imazhin e gabimit 163,4 (plus, minus) 3.4 cm.
Në aktin e ekspertimit shtesë me nr 15 të datës 31.01.2023 që është akt ekspertimi teknik me video dhe fotografi sinjalistikë është kolauduar që edhe personi tjetër i shfaqur në pamjet filmike të kamerës së sigurisë së të njëjtës banesë private rezulton se gjatësia e tij duke marr parasysh edhe marzhin e gabimit është 169.4 cm (plus, minus) 2.9 cm.
Konkluzioni: Pra asnjë nga personat e shfaqur në pamjet filmike të kamerës së sigurisë shkencërisht nuk mund të jetë Martin Arza ndërsa prokuroria në akuzën e saj pretendon se Martin Arza ka qenë në vendngjarje dhe priste në një makinë dhe është njëri prej personave i cili shfaqet në pamjet filmike kur del nga makina.